CITY - ARSENAL
City shumë i fortë, s’ka fund kriza e Arsenalit!
28 August, 2021 @15:23
Tri humbje radhazi për Arsenalin në tri ndeshjet e para të Premier Ligës dhe ende asnjë gol i shënuar.
Në 10-vjetorin e disfatës 8-2 nga United në Manchester, sot Arsenali u deklasua keq nga City në po të njëjtin qytet, 5-0 në fund, për ta vazhduar kështu formën e tmerrshme në këtë fillim sezoni.
Gündogan, Fernan Torres e Gabriel Jesus shënuan për Cityn në pjesën e parë, e më pas në pjesën e dytë fillimisht shënoi Rodri mjeshtërisht nga distanca, e kah fundi edhe Torres, i dyti personal për të, për ta mbyllur kështu ndeshjen me rezultat të thellë.
Kur rezultati ishte 2-0 për Cityn, Granit Xhaka pas një ndërhyrjeje të ashpër dhe të panevojshme u përjashtua nga loja, për t’ia komplikuar edhe më shumë gjërat Arsenalit në pjesën e mbetur të ndeshjes.
Prej që ka debutuar te Arsenali në fillim të sezonit 2016/2017, asnjë lojtar nuk është përjashtuar më shumë sesa Granit Xhaka në Premier League, plot 4 herë.
Që nga kartoni i kuq e deri në fund, ndeshja për Cityn kaloi si stërvitje, e në fund ndeshja u mbyll me rezultat deklasues 5-0.
Të paktën momentalisht, City i prin elitës së futbollit anglez, kurse Arsenali e sheh veten në vendin e fundit pas 3 ndeshjeve.
Kështu, Arteta me Arsenalin e tij rikthimin te rezultatet pozitive duhet ta kërkojë pas pushimit të kombëtareve, nëse nuk shkarkohet…