PARA NDESHJES
Çka e frikëson De Biasin?!
9 October, 2014 @15:34
Tekniku i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, nuk e ka frikë aspak Danimarkën, kundërshtarin e së shtunës të kuqezinjëve.
Italiani 56 vjeç druhet nga diçka tjetër para ndeshjes së Shqipërisë me Danimarkën.
“Mund t’i fitojmë 6 pikë ndaj Danimarkës dhe Serbisë, por mund ta fitojmë vetëm 1 pikë, e ndoshta edhe asnjë. Mendoj se kemi mundësi të fitojmë, nëse luajmë me qetësi dhe duke e përdorur kokën. Nuk duhet të na kaplojë euforia para tifozëve tanë. Dua lojë të mirë,” është cituar të ketë thënë De Biasi për të përditshmen Zëri, transmeton Panorama sot.
Ai më tej ka shtuar se kuqezinjtë do të mundohen që të grumbullojnë sa më shumë pikë të jetë e mundur në këto eliminatore, derisa sot ka përdorur në stërvitje këtë 11-she për testim ndaj Danimarkës: Etrit Berisha - Elseid Hysaj, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Ansi Agolli - Ergys Kaçe, Amir Abrashi, Burim Kukeli - Taulant Xhaka, Valdet Rama - Bekim Balaj.