OLSEN VLERËSON KUQEZINJTË
Ekipi më i mirë shqiptar në histori
9 October, 2014 @11:13
Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, ka vlerësuar lartë Shqipërinë, që e ka kundërshtar të radhës në Grupin I kualifikues për Kampionatin Europian, EURO 2016 që mbahet në Francë.
Reprezentacioni i Danimarkës pritet të arrijë në Elbasan Arena të shtunën, për ndeshjen e dytë kualifikuese të grupit.
“Ata luajnë në shtëpi dhe kanë fituar besim të madh pas fitores ndaj Portugalisë. Në temperamentin e tyre është që të mos mbrohen në shtëpi dhe ndoshta ky është ekipi më i mirë që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Nuk pres të dominojmë 90 minuta,” ka thënë Olsen 65 vjeç, strategu me përvojë i danezëve, për Shqipërinë në deklaratën e tij para ndeshjes, transmetojnë mediat daneze.
Gajle tjetër e Danimarkës është sulmuesi kryesor i ekipit, Nicklas Bendtner, që ende nuk ia ka bërë sefte golit në Bundesligë me ekipin e tij të ri, Wolfsburg.
Përndryshe, Olsen është duke e udhëhequr kombëtaren daneze që nga korriku i vitit 2000.