EUROPA LEAGUE
Coulibaly shuan Shkëndijën
25 August, 2016 @21:43
Dy golat e sulmuesit nga Mali, Kalifa Coulibaly, në pjesën e dytë të ndeshjes, ia humbi të gjitha mundësitë skuadrës së Shkëndijës, e cila pasi i kishte eliminuar tre kundërshtarë të mëparshëm, shpresonte kualifikimin në fazën grupore.
Mirëpo skuadra e Gentit që kishte edhe avantazhin 2-1 nga ndeshja e parë, nuk lejoi një gjë të tillë.
Në fakt, në minutat kur Coulibaly shënoi dy golat e tij, tetovarët ishin ata të cilët kërkonin më shumë golit, derisa u ndëshkuan në mënyrë të rëndë nga kundërsulmet e belgëve.
Pas këtij rezultati motivi i Shkëndijës ra krejtësisht, ndërsa këtë e shfrytëzuan françezi Jeremy Perbet dhe braziliani Renato Neto, të cilët shënuan edhe nga një gol për rezultatin përfundimtar 4-0.
Sigurisht, rezultati përfundimtar nuk ishte pasqyrë e vërtetëe ndeshjes, sidomos duke pas parasysh lojën e tetovarëve në 60 minutat e parë, mirëpo dy golat e shpejtë të Coulibalyt, ia humbën përqëndrimin e skuadrës, e cila në fund u mposht me rezultat të thellë.
Me këtë rezultat merr fund aventura e Shkëndijës në Europa League për sivjet.