Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

HEROLIND SHALA

COVID-19 arsyeja e mungesës së Shalës në listën e Kosovës

COVID-19 arsyeja e mungesës së Shalës në listën e Kosovës


17 March, 2021 @18:24

Herolind Shala nuk është përfshirë në listën e përfaqësueses së Kosovës, e cila është publikuar sot nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Shala do të mungojë për shkak se është i infektuar, bënë të ditur faqja e FFK-së.

Shiko listën e lojtarëve të ftuar

“Ka disa ditë që jam prekur nga Covidi-19. Ditët e para kanë qenë goxha të vështira, ngase kam pasur temperaturë dhe ethe, derisa tash jam më mirë dhe besoj që për pak ditë do ta tejkaloj edhe këtë sfidë. Falënderoj edhe stafin e Kombëtares dhe presidentin Ademi që vazhdimisht më kanë telefonuar dhe janë interesuar për shëndetin tim, ashtu sikurse edhe bashkëlojtarët. Më vjen keq që kësaj radhe nuk do të jem afër tyre për t’i ndihmuar, por ja që ndodhi që të prekem me virus pikërisht para këtij grumbullimi të Kombëtares”, ka thënë Herolind Shala për FFK-në.

Ai shtoi se bashkëlojtarët e tij te dardanët do ta zëvendësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Në ekipin kombëtar të Kosovës jemi si familje – kur mungon një lojtar është tjetri që e zëvendëson me dinjitet. Normalisht që ndjehem keq që nuk do të jem aty për ta ndihmuar ekipin, por e di që të gjithë do të japin gjithçka nga vetja dhe secili që e veshë fanellën dardane ndjehet krenar”.

Për fund, Shala foli edhe për dy ndeshjet kualifikuese kundër Suedisë dhe Spanjës, duke shprehur optimizmin e tij për rezultate pozitive.

“Jam i vetëdijshëm se kemi përballë dy kombëtare të mëdha, por mund t’i dalim. Suedinë e njoh shumë mirë dhe ka cilësi të mëdha, por mund ta befasojmë. Do të ishte ndjenjë e shkëlqyeshme sikur ta nisim këtë fushatë kualifikuese me 3 pikë. Prania e Zlatan Ibrahimovicit te Suedia? Varet në çfarë dite është. Nëse është në ditën e tij më të mirë, atëherë pa dyshim se do të ketë më shumë telashe reparti ynë i mbrojtjes, por mund të jetë edhe përparësi për ne, ngase me praninë e tij në fushë loja e suedezëve mund të përqendrohet krejtësisht tek ai dhe kjo do t’i jepte më shumë mundësi ekipit tonë. Ndërkaq, përballja me Spanjën do të jetë edhe më e vështirë, por mendoj se kemi shumë cilësi në ekip për të befasuar edhe kombëtare të tilla dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën. Unë kam besim te bashkëlojtarët e mi dhe u jap kurajë që të japin më të mirën e tyre”, përfundoi futbollisti i cili aktualisht luan për skuadrën norvegjeze, Stabaek.


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Botëror