PARA PËRGATITJEVE
Cungu te Laçi
4 August, 2014 @9:52
Ekipi i Laçit që dje është nisur për në Austri për të kryer fazën përgatitore para nisjes së kampionatit të ri - ka ndërruar trajnerin.
Legjenda e bankës laçjane, Stavri Nica, që nga tifozët është quajtur Ferguson i Laçit ka dhënë dorëheqje të papritur, derisa drejtuesit e skuadrës në krye me kreun e klubit, Pashk Laskën, kanë emëruar në vend të tij, Armando Cungun.
Ish trajneri i Kukësit, Cungu, do të nis sot përgatitjet me ekipin e tij të ri, derisa ekipi pritet të përforcohet edhe me dy lojtarë tjerë: Semiran Cela dhe Lorenc Shehaj - të dy vlonjatë. Laçjanët gjithashtu ia kanë vazhduar kontratën portierit malazias të ekipit, Miroslav Vujadinovic.
Strategu shkodran Cungu, që bëri emër me Kukësin pas garave të shkëlqyera europiane - pritet të bëj Laçin ekip të fuqishëm për sfidat e stinorit në vijim.
Kategoria Superiore shqiptare nis më 23 gusht derisa në ndeshjen e parë Laçi pret Partizanin e Tiranës.