PRISHTINA-FERIZAJ
Curri mban Prishtinën në krye
29 September, 2016 @16:35
Skuadra e Prishtinës ka shënuar fitoren e gjashtë në Superligë.
Bardhekaltërit kanë arritur ta mposhtin Ferizajin me rezultat minimal 1-0, për të mbajtur edhe më tej pozitën e parë në radhitjen tabelare.
Goli i fitores për Prishtinën erdhi në minutën 80’ nga Debatik Curri, i cili shënoi me një goditje të fortë nga distanca, duke e befasuar portierin ferizajas, Rexhepi.
Prishtina kishte rast të kalojë në epërsi qysh në minutën 30’ kur topi i goditur nga afrikani Basid Khalid ndalet në transversale, derisa tjetër rast ideal për shënim prishtinasit kishin në minutën 64’ kur fituan penallti pas ndërhyrjes të palejuar ndaj Kreshnik Lushtakut, mirëpo nga pika e bardhë Ahmed Januzi u tregua i pasaktë.
Me këtë fitore Prishtina ka rimarr pozitën e parë në tabelë, të cilën nga dje e kishte Trepça ‘89.
Në ndeshjen e radhës Prishtina do të udhëtojë në Skënderaj për t’u përballur me Drenicën, derisa Ferizaji do ta pret në shtëpi skuadrën e Trepçës.