Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MENDIMET E ILIR DAJËS!

Daja: Nuk mund të nxjerrim notarë, nëse nuk kemi pishinë

Fotot: FCBallkani/ fb

Daja: Nuk mund të nxjerrim notarë, nëse nuk kemi pishinë


1 September, 2023 @8:56

Pas triumfit të madh në playoff të Ligës së Konferencës dhe sigurimit për të dytin vit radhazi të fazës grupore të garës, trajneri tiranas i Ballkanit Ilir Daja ka folur mbi dhjetë minuta me gazetarin Arlind Sadiku pas ndeshjes ndaj BATE Borisov.

Jo vetëm për emocionet, por ai ka folur edhe për ngritjen e futbollit në Kosovë dhe gjëra tjera që i duhen ngritjes së futbollit në vendin tonë. Ndër të tjera ai ka falenderuar gjithë Suharekën, Ballkanin, Xhebrailat, por edhe secilin person që ka bërë tifo për Ballkanin gjatë rrugëtimit për në Ligë të Konferencës.

”Është një ëndërr e çmendur, brenda një viti në Europë, kemi kaluar për herë të dytë në grupet e Ligës së Konferencës. E gjithë merita iu shkon lojtarëve, sado që kemi shitur, kemi Emërllahun e dëmtuar, prapë lojtarët e vjetër me eksperiencë, bënë që të mos ndihej mungesa dhe vakumi i të larguarve. Janë ata që na çuan neve sot për herë të dytë në grupet e Ligës së Konferencës. Ky urim i shkon gjithë Suharekës, Ballkanit, tifozëve tonë, ky urim i shkon gjithë Kosovës, se në fund fare, neve sot kemi prezantuar gjithë futbollin e Kosovës. Ndihem i përulër përballë çdo tifozi kosovar që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim tonë,” ka thënë fillimisht Daja.

Ilir Daja

“Megjithëse sot jemi në festë, mendjen e kam të qetë, në qoftë se kam cituar që ndonjëherë lojën në Ludogorets, nuk e kam thënë që si duhet të bëjmë në fazën mbrojtëse apo si do të bëjmë në fazën e sulmit. Nëse duam ta ngremë futbollin në Kosovë nuk fillon analiza fare tek taktika apo në ndonjë vend tjetër. Analiza fillon tek komplekset stërvitore.” ka shtuar strategu tiranas i Ballkanit.

“Nëse duam të bëjmë një hap tjetër, nuk mund ta bëjmë në qoftë se nuk përmirësojmë infrastrukturën. I del për detyrë shtetit dhe FFK-së, por edhe investitorëve, që në qoftë se duan të zhvillojnë futbollin në Kosovë, të zhvillohet infrastruktura. Nuk mund të nxjerrim notarë, në qoftë se nuk kemi pishinë.” theksoi ndër të tjera Daja.

Ilir Daja

Ballkani është bërë ekipi i parë nga Kosova që ka siguruar fazën grupore të Ligës së Konferencës në stinorin e kaluar, 2022/23. Ata, përsëritën të njëjtin sukses edhe këtë stinor 2023/24 duke u bërë ekipi i parë nga Kosova që arrin dy herë kualifikimin në Ligë të Konferencës radhazi.

Shorti për fazën grupore të Ligës së Konferencës do të hidhet të premten më 1 shtator duke filluar nga ora 14:30. Do të krijohen tetë grupe nga katër ekipe, ndërsa ekipet nga shtetet e njëjta nuk do të jenë në të njëjtin grup. Ballkani ka të hapur secilin kundërshtar nga secila vazo (1, 2 dhe 3).

 

 


 
Të gjitha lajmet nga Conference League