BALLKANI SHKON NË GRUPIN C!
Skuadrat që eliminuan ekipet shqiptare, kundërshtare të Ballkanit në UECL!
1 September, 2023 @15:30
Short interesant ka qëlluar për Ballkanin sot në Monaco, ku kampioni i Kosovës pasi që arriti të kalojë playoffin e garës dhe siguroi pjesëmarrjen në fazën grupore të Ligës së Konferencës për të dytën herë radhazi, do të ndeshet me ekipe interesante, jo edhe të panjohura për opinionin.
⬛ Dinamo Zagreb, kampioni i shumëfishtë kroat llogaritet fillimisht si favorit i grupit dhe është bartës aty.
⬛ Pas Dinamos, është ekipi që ka eliminuar Dritën nga kualifikimet për Ligë të Konferencës, Viktoria Plzen. Çekët e rrezikshëm kishin kaluar nënkampionen e Kosovës, pas dy ndeshjesh me rezultat të ngushtë dhe atë krejt në fund, pak para se ndeshja të shkonte në vazhdime, me rezultat 1-2!
⬛ Skuadra tjetër që është kundërshtare e Ballkanit është rivali që eliminoi mbrëmë kampionin e Shqipërisë në playoff të Ligës së Konferencës, kampioni kazak, Astana. Këta të fundit pas fitores minimale në ndeshjen e parë ndaj Partizanit, kanë arritur që mbrëmë me barazim në Elbasan Arena të sigurojë fazën grupore të garës.
E Ballkani kësaj radhe duket të ketë punë shumë më serioze në fazën grupore, ndërsa do të kërkojë së paku që me pikë të jetë më i suksesshëm sesa në stinorin e kaluar, pasi që tashmë është i njoftuar me garën dhe disa nga lojtarët janë më të pjekur në këtë fazë garash.
Në stinorin e kaluar Ballkani me kundërshtarë si Sivasspor, Cluj dhe Slavia Prag, arriti të mbyllë Grupin G të Ligës së Konferencës me 4 pikë të tubuara ku arriti një fitore e një barazim karshi katër humbjeve me goldallim 8-11! Kësaj radhe djemtë e Ilir Dajës natyrshëm do të tentojnë më shumë, edhe pse në pamje të parë grupi i stinorit 2023/24 duket më i vështirë në krahasim me atë të stinorit 2022/23 — kur suharekasit debutuan në gara evropiane.
GRUPET E FORMUARA, PAS SHORTIT TË SOTËM:
Group A: LOSC Lille (FRA), Slovan Bratislava (SVK), Olimpija Ljubljana (SVN), KÍ Klaksvík (FRO)
Group B: Gent (BEL), Maccabi Tel-Aviv (ISR), Zorya Luhansk (UKR), Breidablik (ISL)
Group C: Dinamo Zagreb (CRO), Viktoria Plzeň (CZE), Astana (KAZ), Ballkani (KOS)
Group D: Club Brugge (BEL), Bodø/Glimt (NOR), Beşiktaş (TUR), Lugano (SUI)
Group E: AZ Alkmaar (NED), Aston Villa (ENG), Legia Warszawa (POL), Zrinjski (BIH)
Group F: Ferencváros (HUN), Fiorentina (ITA), Genk (BEL), Čukarički (SRB)
Group G: Frankfurt (GER), PAOK (GRE), HJK Helsinki (FIN), Aberdeen (SCO)
Group H: Fenerbahçe (TUR), Ludogorets (BUL), Spartak Trnava (SVK), Nordsjælland (DEN).
Në postimin për fazën grupore në llogari të klubit, Ballkani ka shkruar se do të kërkojë paraqitje të denjë ndaj këtyre kundërshtarëve.
“Me punën dhe përkushtimin tonë maksimal, do ta bëjmë të pamundurën që të paraqitemi sa më denjësisht ndaj çdo kundërshtari.” — ka shkruar njoftimi i suharekasve.