PAS FITORES
De Biasi: I kënaqur me lojën dhe rezultatin
6 October, 2016 @23:51
Pas fitores ndaj Lihtenshtajnit, De Biasi u shpreh i lumtur me lojën dhe rezultatin.
“Ishte ndeshje e vështirë, duhet ta luanin në mënyrë të zgjuar dhe me ritmin e duhur dhe besoj se ja dolëm mbanë dhe pse mund të kishim një tjetër rezultat. Duhet ta fitonim me çdo kusht këtë ndeshje dhe duhet të luanim me shumë forca sulmuese dhe besoj se e bëmë diçka të tillë. Ishim sulmues në shumë momente të kësaj sfide dhe shpeshherë u shfaqëm të rrezikshëm. Ku nuk luanim ndërkohë siç e kishim parashikuar ndeshjen, atëherë hasnim vështirësi. Gjithsesi jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët në fushë.
Jam i lumtur edhe për Hykën që shënoi gol dhe na zhbllokoi ndeshjen. Më bëhet qejfi edhe për Balajn që shënoi dhe ruajti kështu vazhdimësinë e golave. Do doja të kishte shënuar dhe Cikalleshi sepse një sulmues, goli e ndihmon.” - ishin fjalët e italianit.
I pyetur për gjasat për kalimin e grupit, ai shtoi:
“Sa i përket vendit të parë në grup para Spanjës e Italisë, ndihem si përpara ndeshjes dhe jam i kënaqur për faktin që jemi të parët. Sepse jo shpeshherë ka ndodhur që Shqipëria të jetë e para në eliminatore, por nga anët e mia thuhet që të vdekurit numërohen në fund të betejës. Italia dhe Spanja janë favoritet kryesorë për dy vendet e para, për ne nuk është asnjë ndeshje e favorshme. Të jemi në vend të parë është kënaqësi e madhe, por kemi dy rivalë të fortë. Për Spanjën do fillojmë të flasim nesër.”