GIANNI DE BIASI
De Biasi kërkon talentë nëpër Europë
26 October, 2016 @18:33
Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ishte sot i pranishëm në stadiumin “Bruno Benelli” në Ravena të Italisë, për ta përcjellur ndeshjen ndërmjet Shqipërisë U17 dhe Italisë U17.
Ai tha se ekipi i tij është duke punuar me vite për të zbuluar talentë shqiptarë nëpër Europë, të cilët do t’i hynin në punë kombëtares A të Shqipërisë.
“Prej katër vitesh po punojmë për afrimin e të rinjve në Kombëtare. Paolo Tramezzani prej dy vitesh është drejtues teknik i sektorit të të rinjve dhe po bën një punë shumë të mirë në këtë drejtim. Po punojmë te cilësia, për të krijuar një strukturë të re dhe për t’i transmetuar një mentalitet të ri këtyre të rinjve. Kemi shumë talentë të shpërndarë nëpër Europë dhe gjithmonë provojmë të organizojmë seleksionime në shtete të ndryshme, për të rritur nivelin teknik të skuadrës,” tha De Biasi, transmeton Supersport.