DY GOLA TË BUKUR NË BERNABEU
DeBruyne barazoi - beteja e parë, pa fitues!
9 May, 2023 @22:50
Dy gola të bukur u shënuan në përballjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet dy ekipeve të fuqishme, ndërsa Vini Jr i dha epërsinë Real Madridit në minutën e 36 të ndeshjes me gol të bukur, pas një vrapi fantastik të Ed Camavingas, e në pjesë të dytë Ilkay Gundogan duke mbrojtur topin në zonë të madrilenëve, gjeti Kevin de Bruynen që lëshoi torpedon e pandalshme për Thibaut Courtoisin, deri atëherë të pamposhtur. Real Madrid 1-1 Manchester City [Vinicius Jr. 36’ - Kevin de Bruyne 67’].
Dueli i kthimit luhet në Etihad më 17 maj, ndërsa skuadrat e Carlo Ancelottit dhe Pep Guardiolës do të kërkojnë finalen e Ligës së Kampionëve. I pari për të mbrojtur titullin të fituar në stinorin e kaluar, i dyti për rikthim në finale pas një stinori pa të. Sa i përket sulmuesve të skuadrave, Karim Benzema u duk më shumë tentoi dhe të krijonte, ndërsa Erling Haaland në anën tjetër ishte krejtësisht i mbuluar dhe përkundër vrapimeve të tij, pos njëherë, mbrojtja e Realit s’e lente të arrinte te topi. Përndryshe, ky është dueli i parë ku me ekipet e tyre Ancelotti dhe Guardiola barazojnë, derisa verdiktin e lojës e dhanë me gola të bukura dy super-lojtarë të super-trajnerëve. Në fund, belgu De Bruyne u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.
E veçanta e lojës, Guardiola në këtë duel nuk ndërroi asnjë lojtar dhe ndeshjen ashtu siç e nisi dhe e përfundoi, me 11-shen startuese. Kurse Ancelotti ndërrimet i bëri pas minutës së 80 të ndeshjes, duke futur në lojë Asension, Tchouamenin dhe Nachon, në vend të Rodrygos, Kroosit dhe Modricit, përkatësisht.
NOTAT E FUTBOLLISTËVE (via Eurosport):
Real Madrid: Courtois 7, Camavinga 7, Alaba 7, Rudiger 8, Carvajal 6, Modric 6, Kroos 7, Valverde 8, Vinicius 7, Benzema 6, Rodrygo 6. Rez.: Asensio 5, Tchouameni 6, Nacho n/a.
Manchester City: Ederson 6, Walker 7, Stones 6, Dias 7, Akanji 5, Gundogan 6, Rodri 7, De Bruyne 8, Silva 7, Grealish 6, Haaland 5. Pa rez.