DRITA - FERONIKELI
Debutim ëndrrash për Ardit Tahirin, Drita me përmbysje ndaj Niklit
21 August, 2021 @19:00
Me fitore ka filluar sezoni i ri për nënkampionin në fuqi të Kosovës, Dritën.
Skuadra nga Gjilani sot fitoi 2-1 (Ardit Tahiri 77’ 80’ / Sokol Kiqina 44’) ndaj Niklit, për ta filluar kështu sezonin e ri me fitore.
Goli i vetëm në pjesën e parë u shënua në minutën e 44’ të ndeshjes. Në rastin e parë serioz për skuadrën e tij, Sokol Kiqina i Feronikelit shënoi për 0-1, pFr ta dërguar skuadrën e tij në pushim me epërsi minimale.
Me të filluar pjesa e dytë, Drita inkuadroi në lojë Muharrem Jasharin dhe Astrit Fazliun, për ta rritur intensitetin e sulmeve, por zëvendësimi që e ndryshoi komplet rrjedhën e ndeshjes ishte ai i Ardit Tahirit.
I ardhur nga Besa rreth një javë më parë, Ardit Tahiri u inkuadrua në lojë për Dritën në minutën e 67’ të ndeshjes dhe me t’u inkuadruar e bëri diferencën. Ai shënoi dy herë, për të debutuar kështu në mënyrën më të mirë të mundshme te skuadra e re dhe për t’ia dhuruar Dritës fitoren e parë sezonale.
Xhiron e dytë, Drita e pret Llapin në shtëpi, kurse Nikli luan ndaj Gjilanit në Drenas.