KOSOVA U21

Deklaratat e lojtarëve para ndeshjeve kualifikuese
19 March, 2018 @21:06
Përveç përzgjedhësit Prekazi, para dy ndeshjeve kualifikuese u shprehën disa nga lojtarët e Kosovës U21.
“Jemi një ekip kompakt dhe këtë po e dëshmojmë si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. I kemi disa ditë në dispozicion për t’i përgatitur sa më mirë këto dy ndeshje. Ne fillimisht jemi të përqendruar në sfidën e parë me Azerbajxhanin dhe vetëm pas saj do të mendojmë për Gjermaninë. I njohim kundërshtarët dhe i dimë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Tash mbetet të punojmë gjatë këtyre ditëve me trajnerët për mënyrën se si do t’i qasemi këtyre sfidave, por jam optimist se do të nxjerrim rezultat pozitiv, megjithëse duhet pranuar se ne jemi ekip i ri dhe jemi në zhvillim e sipër.” - u shpreh Ylber Maloku, njëri nga të përzgjedurit e Prekazit.
Ndërkohë, një nga emrat e ri të ftuar nga Prekazi, Arbenit Xhemajli, u shpreh:
“Jam i lumtur që jam bërë pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës dhe grupi i lojtarëve më ka pritur shumë mirë. Dita e parë e stërvitjes ka kaluar shumë mirë. Shihet që në ekip ka harmoni, kurse edhe stafi i trajnerëve është i afërt me futbollistë. Besoj që ky grup i futbollistëve ka kualitet dhe mbetet që këtë ta dëshmojmë edhe në fushën e lojës kundër Azerbajxhanit dhe Gjermanisë.”
Lajm i mirë për Kosovën U21 është edhe rikthimi nga lëndimi i Valmir Sulejmanit, i cili sot deklaroi:
“Jam kthyer pas një pauze 7 muajshe nga lëndimi. Normalisht se nuk është e lehtë të kthehesh pas një lëndimi aq të rëndë, por ndjehem mirë dhe të shohim si do të shkojnë gjërat. Kam luajtur 4-5 ndeshje me ekipin e dytë të Hanoverit dhe kam dhënë maksimumin dhe besoj se rikthimi po shkon mirë. Sa i përket dy ndeshjeve të ardhshme pres që të korrim sukses. Gjermaninë e njoh shumë mirë sepse kam luajtur në ekipet e tyre U-17 dhe U-18, por nëse japim maksimumin dhe luajmë mirë kemi gjasa për fitore. Sa i përket Azerbajxhanit, nuk kam qenë në ndeshjen e kaluar, por besoj se kemi më shumë kualitet.”