PËRMBLEDHJA E LIGËS SË PARË

Vëllaznimi përfundon në krye vjeshtën në Ligë të Parë/ BOROZANI/D.S.
Dimër i qetë për Vëllaznimin
18 November, 2013 @23:09
Pas 15 xhirove të para në Ligën e Parë të Kosovës ekipi gjakovar, Vëllaznimi, ka përfunduar si i pari në tabelë stinorin vjeshtor.
Gjakovarët kanë ndezur turbinat e tyre në dhjetë xhirot e fundit duke i radhitur fitoret, përkundër krizës financiare. E futbollistët e saj, ku përveç të rinjëve, ka edhe disa me përvojë të madhe si Robert Gjeraj, Luigj Buqaj, Alban Dylazeka e Debatik Çarkaxhia, kanë mbajtur gjallë shpresat e qytetit të Gjakovës për Superligë.
10 FITORET RADHAZI TË GJAKOVARËVE
Kuqezinjtë kanë mposhtur të gjithë kundërshtarët pas humbjes së fundit nga Gjilani më 21 shtator. Prej asaj dite Vëllaznimi është këndellur dhe ka mposhtur radhazi: Llapin 5-1; Deçanin 0-1; Ulpianën 2-0; Lirinë 1-2; Kosovën e Prishtinës 0-2; Rilindjen 4-0; Lepencin 0-3; Dukagjinin 3-0; Flamurtarin 1-3 dhe në xhiron e fundit Ballkanin 1-0.
Këtyre dhjetë fitoreve radhazi vetëm Roma e Serie A-së nuk do t’ua kishte lakmi. Vëllaznimi ka arritur bilanc në fund prej 12 fitoreve dhe 3 humbjeve, duke mos barazuar në asnjë ndeshje dhe kanë 36 pikë prej 45 që do të ishte maksimalja.
ISTOGU E GJILANI, NDJEKËSIT KRYESORË DHE MË SERIOZË
Ata së voni i ndiqte në hap Istogu që nuk dinte për humbje deri në xhiron e fundit të stinorit vjeshtor. ‘Troftat’ ranë pre e Lirisë në xhiron e fundit si mysafir në stadiumin e rihapur prizrenas Përparim Thaqi, kur u mposhtën nga Liria në saje të një penalltie të ekzekutuar nga Fitim Krusha.
Kjo la Istogun me humbjen e vetme në vjeshtë, derisa ata përfunduan pjesën e parë të stinorit me bilanc prej 9 fitoresh, 5 barazimesh dhe 1 humbje, e në total me 32 pikë të tubuara.
Vëllaznimit dhe Istogut në luftë për Superligë nuk do t’i lë rehat Gjilani, që është i vetmi që ka arritur në kuotën e 30 pikëve nga të gjitha (16 ekipe në Ligë të Parë) anëtaret e Ligës së Parë. Gjilani është njëra ndër skuadrat e pakta që kanë mposhtur Vëllaznimin dhe që ka ndalur Istogun në barazim. Mirëpo, në pranverë ‘jorgovanët’ do të udhëtojnë te kryesuesit e vjeshtës dhe kjo mund të jetë mal i pakalueshëm për ata nëse nuk ndërron diçka drastikisht.
MESI I TABELËS QË SHPRESON NË PRANVERË
Skuadrat tjera, prej vendit të katërt deri në të nëntën mund të thuhet se janë me fuqi të njejtë dhe vetëm pak dallojnë nga njëra-tjetra pasi që krejt dallimi është 6 pikë. Llapi, Dukagjini, 2 Korriku, KEK-u, Liria dhe Flamurtari do të tentojnë tu shkaktojnë telashe kryesuesve, por varen shumë edhe nga ndeshjet e ndërsjella, prandaj do të kenë të vështirë luftën për Superligë - por prapëseprapë ata shpresojnë te topi, që është i rrumbullakët dhe asnjëherë s’i dihet.
TË RREZIKUARIT
Rilindja që ka vetëm një fitore dhe është e ngujuar në fund, vështirë se do të mund të shpëtojë edhe një stinor në Ligën e Parë. Derisa Kosova e Prishtinës që ka golaverazhin më negativ në Ligë të Parë (-25) dhe Ulpiana, do të bëjnë çmos për të mbijetuar. E të sigurtë mbijetesën nuk e kanë as Deçani, Ballkani e Ramiz Sadiku me Lepencin që plotësojnë gjashtëshen e fundit në ligën e dytë të Kosovës.
LIGA E PARË, Tabela përfundimtare e stinorit vjeshtor:
1 | Vëllaznimi | 36 pikë | ||
2 | Istogu | 32 pikë | ||
3 | Gjilani | 30 pikë | ||
4 | Llapi | 27 pikë | ||
5 | Dukagjini | 26 pikë | ||
6 | 2 Korriku | 25 pikë | ||
7 | KEK | 23 pikë | ||
8 | Liria | 22 pikë | ||
9 | Flamurtari | 21 pikë | ||
10 | Lepenci | 18 pikë | ||
11 | Ramiz Sadiku | 17 pikë | ||
12 | Ballkani | 17 pikë | ||
13 | Deçani | 15 pikë | ||
14 | Ulpiana | 11 pikë | ||
15 | Kosova Prishtinë | 10 pikë | ||
16 | Rilindja | 7 pikë |