EURO2020
Dita 13, dita e fundit e fazës grupore
23 June, 2021 @8:30
Jemi në ditën e fundit të fazës grupore.
Pas ditës së sotme, kemi dy ditë pushim dhe më pas fillon 1/8 e finales, faza e eliminimit direkt.
Sot në program janë 4 ndeshje, dy nga grupi E e dy nga grupi F.
Në ndeshjet e orës 18:00, Spanja luan ndaj Sllovakisë, kurse Suedia përballet me Poloninë. Situata në këtë grup mbetet mjaft e koklavitur dhe gjasa për kualifikim kanë të gjitha. Normalisht, vëmendja do të jetë te Spanja, e cila me 2 pikë pas 2 ndeshjeve të para, nuk i ka punët shumë mirë dhe sonte do ta kërkojë fitoren ndaj sllovakëve.
Në anën tjetër, Suedia, që në dy ndeshjet e para zhvilloi paraqitje mjaft të mira, do të donte ta ruante pozitën e parë të grupit, pasi që vendi i parë i këtij grupi, në 1/8 e finales luan me njërin prej vendeve të treta të grupeve A/B/C/D. E vendi i dytë i grupit E në 1/8 e finales luan me vendin e dytë të grupit të Anglisë, pra Kroacinë.
Sa i përket grupit F, ndeshjet e këtij grupi sonte luhen në ora 21:00, ku mes vete takohen Gjermania me Hungarinë dhe Portugalia me Francën.
Pasi e mposhti Portugalinë, Gjermania do të kërkojë ta mposhtë edhe Hungarinë, e cila së fundi e befasoi Francën, duke e ndaluar në barazim. Vëmendjen kryesore të mbrëmjës do ta ketë dueli mes Portugalisë dhe Francës. Nëse aplikon mbrojtje si ndaj Gjermanisë, Portugalia do të mposhtet edhe sonte, por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.
Vendi i parë i grupit F në 1/8 e finales takohet me njërin prej vendeve të treta të grupeve A/B/C, kurse vendi i dytë i grupit F përballet me Anglinë.