EURO2020
Dita e shtatë e evropianit, në akcion grupet B e C
17 June, 2021 @8:30
Dita e sotme në kampionatin evropian sjell dy ndeshje nga grupi C dhe një nga grupi B.
Nga grupi B, me fillim nga ora 18:00 kemi ndeshjen mes Danimarkës dhe Belgjikës, ndeshje e cila mund të jetë interesante nëse danezët e kanë kaluar shqetësimin psikik pas rastit Eriksen. Humbja në ndeshjen e parë nga Finlanda ishte befasuese dhe ndoshta nuk do të ndodhte sikur ndeshja të shtyhej për ndonjë ditë tjetër, mirëpo tashmë ajo mbetet e shkuar dhe danezët do të luftojnë për ta kaluar grupin në dy ndeshjet e mbetura.
Normalisht, Belgjika është favorite për ta fituar këtë takim dhe për ta kryesuar grupin, ndërkohë që fitorja e djeshme e Rusisë ndaj Finlandës ka lënë gjithçka të hapur për vendin e dytë.
Dy ndeshjet e tjera të ditës i takojnë grupit C.
Në xhiron e parë, ky grup dhuroi dy ndeshje mjaft të mira për futbolldashësit, e shpresojmë që të tilla të jenë edhe ndeshjet e sotme.
Me fillim nga ora 15:00, Ukraina luan me Maqedoninë Veriore, takim që vë përballë dy skuadrat pa pikë, e më pas me fillim nga ora 21:00 Holanda luan me Austrinë.
Nëse përfaqësueset e grupit C i përsërisin paraqitjet që i shfaqën në xhiron e parë, grupi C në fund ndoshta mund të quhet grupi më atraktiv i evropianit, të paktën për fansat neutral.