EURO2020

Dita e tretë e evropianit, ndeshjet e ditës
13 June, 2021 @9:09
Për fat të mirë Christian Eriksen është mirë dhe dita e dytë e kampionatit nuk përfundoi me ndonjë tragjedi të padëshirueshme.
E ndeshje të mira sjell edhe dita e tretë. Nga tri ndeshjet e ditës, dy janë nga grupi C e një nga grupi D.
Dita nis me ndeshjen mes Anglisë dhe Kroacisë në ora 15:00. Përfaqësuesja angleze, që gjithmonë ka pritshmëri të larta e rezultate të dobëta, e nis kampionatin me përballjen ndaj nënkampionit në fuqi të Botës. Nuk është Kroacia e Rusisë 2018, mirëpo megjithatë mbetet një kombëtare e fortë dhe ndeshja e sotme mund të jetë mjaft interesante. Është ndeshje e vlefshme për grupin D, ku bëjnë pjesë edhe Çekia e Skocia.
Ka shumë pikëpyetje dhe spekulime se si do ta organizojë fazën ofansive Gareth Southgate i Anglisë, pasi që emrat kualitativ janë të shumtë, prandaj edhe kjo gjë do të jetë nën vëzhgimin e futbolldashësve sot.
Dy ndeshjet e tjera të ditës së sotme janë nga grupi C. Fillimisht nga ora 18:00, Austria luan ndaj Maqedonisë Veriore debutuese, e më pas nga ora 21:00 luan Holanda me Ukrainën.
Ndonëse nuk besoj se do të shënohen shumë gola në përgjithësi, të trija këto ndeshje do të jenë të mira për t’u shikuar.