SHTOHET PËRVOJA NË EKIP
Doshlaku zyrtarizohet në Ligë të Parë
17 January, 2022 @15:50
Futbollisti i deritashëm i Feronikelit, Lulzim Doshlaku, që ditë më parë zyrtarizoi ndarjen nga klubi për shkak të krizës financiare që e ka kapur klubin, sot është prezantuar në Ligë të Parë, Grupi A.
Ai është bërë lojtar i ri i Onixit, që tash e tutje është thënë se do të quhet Phoenix, ndërsa klubi ka shkruar që janë të kënaqur me marrëveshjen e arritur me lojtarin me shumë përvojë.
“Transferimi i radhës nga Phoenix është mbrojtësi me shumë përvojë në futbollin kosovar, Lulzim Doshlaku nga Feronikeli,” ka njoftuar Onixi.
Gjithashtu, ekipi ka bërë të ditur se kanë futur te seniorët edhe tre futbollistë të rinj, Eldar Kelmendi, Altin Shala dhe Granit Pelaj - që pritet të rriten edhe më shumë si lojtarë përgjatë kampionatit.
Onix, ka kryer vitin 2021 në Ligë të Parë Grupi A në pozitë të tretë me 21 pikë nga 14 ndeshje të zhvilluara dhe është vetëm një pikë larg pozitës që dërgon në PlayOff për Superligë, që për momentin “okupohet” nga Trepça.