RAMIZ SADIKU 2-2 DRITA
Drita arrin finalen pas 6 vitesh
13 April, 2022 @16:17
Ish kampionia e Kosovës, Drita, ka arritur të sigurojë biletën për finale të Kupës së Kosovës duke barazuar me Ramiz Sadikun sot, 2-2 [Armend Misini 51p., Granit Musa 67 - Ardit Tahiri 85, Almir Kryeziu 90+2] në Prishtinë.
Drita kishte fituar ndeshjen e parë ndaj prishtinasve 3-0 dhe pritej të ishte ndeshje e lehtë për të përzgjedhurit e Ardian Nuhiut sot, mirëpo, industrialistët mendonin ndryshe.
Pas pjesës së parë pa gola, ata shënuan shpejtë në filim të pjesës së dytë. Penalltinë e fituar e konkretizoi Armend Misini (51) ndërsa futbollistët e drejtuar nga trajneri Elon Berisha fituan zemër dhe iu sulën Dritës.
Dëshira e madhe edhe u shpërblye. Granit Musa tundi rrjetën e mysafirëve për 2-0 (67) dhe ndeshja u ndez, pasi që shumë afër ishte neutralizimi i epërsisë nga ndeshja e parë.
Por, më pas Drita stabilizoi gjërat dhe në kundërsulm shënoi me të riun Ardit Tahiri (85) për 2-1, kurse në kohën shtesë edhe barazoi rezultatin për të shuar shpresat e vendasve dhe për t’ia vulosur finalen e Kupës vetes - me golin e Almir Kryeziut (90+2).
Me këtë fitore dhe sigurimin e finales, Drita për herë të parë është në finale të Kupës së Kosovës prej se Kosova (FFK) është pranuar në UEFA, ndërsa ekipi bardhekaltër pas gjashtë vitesh do të shijojë ndeshjen finale.
Herën e fundit në finale Drita përgjatë 2015/16 ishte mopshtur 2-1 nga Prishtina. Ndërsa Kupën e vetme e ka të fituar në sezonin e dytë të pasluftës, 2000/01.