Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ARBËRIA - DRITA

Drita merr kreun para duelit të rivalëve

Drita merr kreun para duelit të rivalëve


3 April, 2021 @16:51

Skuadra e Dritës ka shënuar fitore si mysafire përballë Arbërisë, për të siguruar tri pikë në një javë të rëndësishme ku do të takohen mes veti dy rivalët e tjerë në luftë për titull, Ballkani dhe Prishtina.

Drita fitoi me rezultat 1-3, në ndeshjen që u zhvillua në shtëpinë e përkohshme të Arbërisë, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Gjilanasit treguan lojë sulmuese gjatë gjithë kohës, por megjithatë vendasit ishin ata që shënuan golin e parë.

Ishte Dior Zabërgja ai që shënoi për epërsinë 1-0 të Arbërisë, pas një sulmi të rrallë që u realizua në minutën 23’.

Ky gol sikur e motivoi më shumë skuadrën kundërshtare, e cila arriti të barazojë rezultatit vetëm pas 4 minutave, me golin e bukur nga distanca të Festim Alidemës.

Nga pozita afërsisht e njëjtë Drita shënoi edhe një herë për 1-2 me golin e shënuar nga nigeriani Esosa Priestley në minutën 33’.

Drita kishte mundësi të shkojë në pushim me epërsi edhe më të thellë, pasi përfitoi penallti në minutën 40’ për shkak të lojës me dorë nga ana e një mbrojtësi të Arbërisë, por goditja e Erjon Vucajt nga pika e bardhë u ndalë nga portieri Andi Thaqi.

Ekipi i trajnerit Ardian Nuhiu e rriti komoditetin edhe më tej në pjesën e dytë, me golin e shënuar nga Betim Haxhimusa, i cili edhe e përcaktoi rezultatin final të ndeshjes.

Deri në fund të takimit megjithëse pati edhe disa raste shënimi nga gjilanasit, dallimi në rezultat nuk u rrit më shumë.

TABELA AKTUALE

Me këtë fitore Drita tani ka 58 pikë dhe kryeson në radhitjen tabelare, ndërsa Arbëria mbetet në 27 pikë dhe rrezikon edhe më shumë mbetjen në Superligë.

Dy rivalët e Dritës në luftë për titull, Ballkani dhe Prishtina, do të luajnë nesër mes veti.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga