DORTMUND 4-0 SCHALKE
E 800-ta për Dortmundin brilant, në derbin e madh, vetëm një pikë larg liderit
16 May, 2020 @17:25
Dortmund brilant në derbi, vetëm një pikë larg liderit
Me një paraqitje fantastike që nga minutat e para të ndeshjes milionerët e Dortmundit kanë shkelur Schalken në derbin e madh të rajonit të Ruhrit.
Verdhezinjtë kanë shënuar fitore 4-0, duke mos i lënë kurrëfarë rasti e as shprese mysafirëve në duelin e xhiros së XXVI të rikthimit të Bundesligës në pandemi.
Norvegjezi fantastik Erling Haaland me një gol e asist ka qenë ndër më të dalluarit e ndeshjes. Dy gola i shënoi edhe Raphael Guerreiro, ndërsa Julian Brandt asistoi dy herë në fitoren 4-0 [Haaland 29, Guerreiro 45, 63, Hazard 48].
Fitorja afron Dortmundin e Lucien Favresë vetëm një pikë te Bayerni lider në tabelë, kur deri në fund të stinorit kanë mbetur vetëm edhe tetë xhiro!
Schalke përkundër humbjes mbetet në luftë për Europa Ligë, por me paraqitjen e sotme jopremtuese, edhe kjo i vihet në rrezik.
Kjo ka qenë fitorja e 800 zyrtare e Borussia Dortmundit në Bundesligë dhe ka ardhur në stil, në derbi ndaj Schalkes.