ELBA RASHANI
E ardhmja e paqartë për Rashanin
6 November, 2016 @20:54
Futbollisti 23 vjeçar, Elbasan Rashani, ka kontratë me skuadrën daneze, Brondby deri në qershor të vitit 2018, ndërsa që nga janari i këtij viti po luan në formë të huazimit për skuadrën norvegjeze, Rosenborg.
Ai mund të luajë për Rosenborgun vetëm gjatë vitit 2016, pasi që nga 1 janari duhet të kthehet te skuadra e Brondbyt, sipas kontratës së nënshkruar më parë.
Mirëpo, sipas drejtorit sportiv të Rosenborgut, Stig Inge Bjorneby, Rashani mund të vazhdojë të luajë për ekipin norvegjez, i cili duket të jetë i kënaqur me paraqitjet e futbollistit.
“Ne jemi në bisedime me Brondbyn për të dhe shumë shpejt pritet të qartësohet gjithçka. Elbasani është zhvilluar mjaft mirë gjatë këtij stinori. Ai kishte disa probleme në fillim, por kur nuk ishte i lënduar, ai kryente punë mjaft mirë,” ka thënë Bjorneby për faqen bold.dk.
Rashani ka dy gola me përfaqësuesen e Kosovës, që të dyja të shënuara në ndeshjet miqësore përkatësisht kundër Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, ndërsa ende është në pritje të debutimit në ndeshjet kualifikuese me Kosovën.