VALMIR SULEJMANI
E pranon vetë lojtari: “Hoqa dorë nga pasaporta gjermane për të luajtur me Kosovën”
18 January, 2021 @19:35
Sulmuesi 24 vjeçar, Valmir Sulejmani, ka pranuar se ka hequr dorë nga pasaporta gjermane për të fituar të drejtën që të luajë me përfaqësuesen e Kosovës.
Futbollisti me prejardhje nga Gjilani i lindur në Gjermani, e ka konfirmuar këtë gjë në emisionin sportiv në Klan Kosova.
“Unë kam hequr pasaportën gjermane për të luajtur për Kosovën, pasi që nuk ka pasur mundësi tjetër që t’i mbajë që të dy pasaportat,” tha ai.
Madje Sulejmani shtoi se ka pasur edhe kritika nga njerëzit e tjerë të afërt për këtë veprim, por ai vazhdoi t’i qëndrojë pas vendimit të tij me qëllim që ta vesh fanellën e Kosovës.
Valmiri deri më tani është paraqitur në dy ndeshje me përfaqësuesen A të Kosovës. E para ka qenë në miqësore ndaj Ishujve Faroe, ndërsa e dyta kundër Ukrainës në kualifikimet për Botëror në vitin 2016.
Sulmuesi i ekipit Hannover 96 ka pasur probleme një kohë të gjatë me lëndime serioze, ndërsa këtë stinor e ka gjetur veten duke luajtur titullar në 5 ndeshjet e fundit në Bundesliga 2.