ARLIND AJETI
Edhe dy skuadra të tjera pas Ajetit
25 June, 2016 @10:49
Kërkesat për Arlind Ajetin, dita ditës po rriten.
Pas skuadrave si Bologna, Torino, Lazio e Besiktas, edhe skuadra e Ledian Memushajt, Pescara, dhe ajo turke, Trabzonspor, kanë shprehur interesim për shërbimet e mbrojtësit kuqezi.
Paraqitjet e mira në Kampionatin Europian dhe fakti që aktualisht është lojtar i lirë, ngaqë i ka skaduar kontrata me Frosinonen, e kanë bërë Ajetin një lojtar shumë të kërkuar në këtë afat kalimtar.
Gazeta italiane, Tuttosport, sot ka shkruar se Pescara është skuadra e cila i ka kthyer sytë kah Ajeti, derisa mediat turke e kanë afruar 22 vjeçarin me Trabzonsporin.
Ajeti ishte transferuar te Frosinone në nëntor të vitit të kaluar, pasi kishte mbetur për një periudhe prej rreth pesë muajsh pa skuadër, por tani gjërat ndryshuan me shpejtësi dhe ai u bë njëri prej lojtarëve më të kërkuar.