FONDI I SOLIDARITETIT
Ekipet e Superiores përfitojnë nga UEFA
Teksti: FSHF
4 November, 2016 @14:52
Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjitha klubet, median dhe opinionin sportiv, në lidhje me fondin e solidaritetit, që UEFA ka akorduar për klubet e Kategorisë Superiore. Ky fond, akordohet nga përfitimet e Champions League për edicionin 2015-16. Ai do të shpërndahet në mënyrë të barabartë për skuadrat që morën pjesë në Kategorinë Superiore për edicionin 2014-2015. Nuk do të përfitojë nga ky fond skuadra e Skënderbeut e cila ka qenë pjesëmarrëse në fazën e grupeve të UEFA Europa League të edicionit 2015-2016. Shuma e e akorduar nga UEFA është afërsisht 486 mijë e 300 euro. Çdo klub do të përfitojë afërsisht 54.000 euro.
Sot, FSHF është njoftuar zyrtarisht për këtë fond me anë të një shkrese që ka mbërritur nga UEFA. Klubet e futbollit do ta përfitojnë këtë fond, pasi të paraqesin një projekt për zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe ndalohet përdorimi i fondit për qëllime të tjera. Gjithashtu në projektet që do të paraqesin, klubet duhet të jenë minimalisht me 30% të shumës së përgjithshme, bashkëfinancues. Projektet do të shqyrtohen dhe miratohen nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF. Zbatimi i tyre do të monitorohet nga UEFA dhe FSHF. Fondet do të vihen në dispozicion të projekteve të paraqitura duke filluar nga janari i vitit 2017.
Po sot të gjitha klubeve të Kategorisë Superiore, Federata Shqiptare e Futbollit i ka nisur një shkresë zyrtare ku i sqaron në lidhje me procedurat dhe ecurinë e proçesit të pagesës së solidaritetit, në mënyrë që të jenë të qartë për mënyrën se si do të procedohet.