Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/2: PRISHTINA - LLAPI

Endrit Krasniqi vendimtar, Prishtina shkon në Podujevë me epërsi

Endrit Krasniqi vendimtar, Prishtina shkon në Podujevë me epërsi


7 April, 2022 @15:57

Ndaj fituesit në fuqi të Kupës së Kosovës, Llapit, sot Prishtina arriti të shënojë fitore 2-1 në takimin e parë gjysmëfinal të Kupës mes këtyre dy skuadrave.

Kështu, fitorja e shënuar sot bën që Prishtina ndeshjen kthyese në Podujevë ta fillojë duke qenë në epërsi një-golëshe.

Seria e golave u hap në minutën e 37’, kur Gledi Mici u tregua nga pika e bardhë dhe Prishtina kaloi në epërsi 1-0. Penalltinë që e shënoi Mici, e fitoi Endrit Krasniqi.

Shumë pak pa u mbyllur pjesa e parë, Prishtina mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi që Agim Zeka u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë.

SKEMA E KUPËS

Duke qenë me një lojtar më shumë në fushë, Llapi guxoi të sulmonte më tepër. E barazimi erdhi në minutën e 62’, kur Arbnor Ramadani shënoi për 1-1 nga pika e bardhë.

Gjithsesi, ndonëse me një lojtar më pak në fushë, kryeqytetasit arritën ta gjenin golin e fitores. Ishte Endrit Krasniqi ai që shënoi mjeshtërisht për 2-1 në minutën e 83’. Ky gol u rishikua nga sistemi VAR për dyshim të një prekjeje me dorë, por gjyqtarët përgjegjës për sistemin VAR vendosën që gjithçka ishte në rregull dhe goli u pranua.

Në minutat që kishin mbetur, Prishtina e ruajti epërsinë e krijuar dhe e mbylli ndeshjen me fitore.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave luhet më 13 prill në Podujevë, e fituesi nga ky duel në finale do të përballet me fituesin nga dueli Drita - Ramiz Sadiku.


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës