MONACO 3-2 PARIS
Fabregas hyn për të përmbysur Parisin
20 November, 2020 @23:16
Monaco ka qenë me fat në pjesë të parë të ndeshjes, pasi që iu llogaritën vetëm dy gola të pranuara nga Parisi, derisa Kylian Mbappe që shkëlqente dhe Moise Kean shënuan edhe nga një gol - që u anulua.
Dhe derisa pjesa e parë e ndeshjes përfundoi 0-2 në të mirë të mysafirëve kampionë nga Parisi, PSG, në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes trajneri i Monacos Niko Kovac, që kishte futur në lojë tetë lojtarë nën moshën 23-vjeçare, shtoi përvojën duke inkuadruar Cesc Fabregasin në lojë.
E ndikimi i tij në lojë, përmbysi PSG-në e Tomas Tuchelit, derisa në fund festoi Monacoja me 3-2 [Volland 52, 65, Fabregafs 84p - Mbappe 25, 37p].
Fabregas asistoi në një gol të Kevin Vollandit, për barazim 2-2, ndërsa një gabim i rëndë i mbrojtësit parisien Abdou Diallo, çoi në penallti të cilën spanjolli 33-vjeç e konvertoi në gol të fitores për ekipin e tij.
Përkundër humbjes, Parisi mbetet lider me 24 pikë nga 11 ndeshje të zhvilluara, ndërsa Monaco tash ka kaluar në pozitë të dytë të renditjes tabelare, duke kapur kuotën e 20 pikëve pas 11 ndeshjeve të zhvilluara.