MEDIA TALK
Premier League me fuqi të frikshme, rrezikon ligat tjera
Përshtatur nga: BBC Sports/ BBC 5 Live
3 February, 2023 @0:52
Premier League e Anglisë është duke bërë dallimin e madh karshi ligave tjera të futbollit evropian. Elita e ekipeve të futbollit anglez po shndërrohet në një gjigand që po i rrezikon ligat tjera të mëdha të futbollit (Bundesliga, La Liga, Serie A, Ligue 1) të jenë furnitorë të saj, duke i bërë këto të fundit si urë kalimi në një parajsë futbolli.
Premier League ka harxhuar katër herë më shumë se katër ligat tjera të forta
913 milionë euro janë harxhuar nga ekipet e Premier Ligës në afatin kalimtar të janarit 2023. Kjo është katër herë më shumë sesa katër ligat tjera të përmendura bashkë. Gjermania, Spanja, Italia dhe Franca - po mbesin shumë hapa mbrapa.
Gazetari francez Julien Laurens ka vlerësuar si “rrezik” këtë ndodhi, derisa ka shtuar se aktualisht vetëm Premier League është ligë futbolli që mund t’i ofrohet të gjithë më të mirëve.
“Nëse Bournemouth ka mundësi që të shpenzojë prej 70 milionë deri në 80 milionë euro në afatin kalimtar të janarit dhe një ekip francez ka një lojtar që nuk është i keq në Ligue 1, dikush nga Anglia mund të thotë, ja 30-40 milionë ta transferojmë,” ka thënë Laurens, duke folur për BBC Radio 5 Live.
Rekordi i ri i vendosur
Dje u vendos rekord i ri i transferit në futbollin britanik, ku Enzo Fernandez prej Benficës kaloi te Chelsea për 121 milionë euro dëmshpërblim. Ndërsa Chelsea si ekip, vetëm gjatë janarit shpenzoi rreth 333 milionë euro! Benfica e kishte blerë Enzo Fernandezin për rreth 10 milionë euro, në verën e vitit 2022!
“Duket e pabesueshme që një vend që bëri protestat më të mëdha ndaj Superligës së Evropës (efektivisht) është faktikisht një Superligë në vete,” ka thënë James Horncastle, ekspert i futbollit gjerman.
Faj nuk kanë, që po udhëheqin mirë
“Askush s’mund të fajësojë se Premier League po punon më së miri komercialisht dhe po e bën ligën më të pasur në botë. Por, më dëshpëron fakti që ligat tjera evropiane po bëhen furnizuese për Premier Leaugen.”
Klubet jashtë Anglisë nuk mund t’i afrojnë as lojtarët që rrijnë në bankë të ekipeve të Premier Leagues, gjithashtu as që të mendojnë huazimin e tyre.
79% Anglia, pjesa tjetër krejt Evropa
”Çka fitojnë ata në Angli, është jashtëzakonisht e shtrenjtë për ekipet në Gjermani.”
Sipas Deloitte, kompani financiare botërore, harxhimet që bëhen në elitën angleze janë 79% të shumës së përgjithshme që harxhohet në tërë Evropën!
“Në ligat evropiane është mjerim. Liga belge ka shumë qejf të shet lojtarë në Premier League. Anglezët në 5 vitet e fundit i kanë ‘dhënë’ 1 miliardë euro Francës dhe 1 miliardë euro Gjermanisë. Klubet belge kanë shënuar humbje rreth 200 milionë euro në periudhën e fundit. Pastaj vinë klubet angleze dhe i shpëtojnë ato. Në Evropë është me të vërtetë një mjerim,” ka thënë gazetari belg, Kristof Terreur.