PARA NDESHJES
Faktet para ndeshjes Francë - Shqipëri
Përgatiti: Lis Dorambari
13 November, 2014 @22:49
Shqipëria dhe Franca do të jenë përballë njëra tjetrës të premtën më 14 nëntor në ora 20:45 në qytetin Renes të Francës. Borozani.com ju sjell disa fakte në lidhje me këtë ndeshje, që do të jetë takim miqësor ndërmjet dy përfaqësueseve.
─ Shqipëria dhe Franca dallojnë për 41 pozita në renditjen botërore të FIFA-s. Kuqezinjtë gjenden në pozitën e 48-të, derisa Franca renditet në pozitën e shtatë.
─ Shqipëria është përballur katër herë me Francën deri më tani dhe në të gjitha ndeshjet ka pësuar humbje.
─ Kuqezinjtë në përballjet e mëparshme me Francën kanë shënuar vetëm një gol, derisa kanë pësuar plot 11 gola.
─ Goli i vetëm i Shqipërisë i shënuar në portën françeze është realizuar nga Erjon Bogdani, më 2 shtator të vitit 2011 në ndeshjen e luajtur në stadiumin Qemal Stafa të Tiranës.
─ Ndeshja e radhës ndërmjet Shqipërisë dhe Francës do të jetë ndeshja e parë miqësore ndërmjet këtyre dy shteteve, pasi që përballjet e mëparshme janë zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për EURO 1992 dhe EURO 2012.
─ Kjo ndeshje do të jetë vetëm ndeshja e dytë e Francës në stadiumin Stade de la Route de Lorient të qytetit Renes. Në ndeshjen e mëparshme në këtë stadium, françezët kishin barazuar me rezultat 1-1 me Bosnjën (18 gusht, 2014).
─ Shqipëria në dhjetë miqësoret e fundit ka regjistruar 5 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje.
─ Shqipëria që nga 20 qershori i vitit 2011, kur është përballur me Argjentinën, nuk ka zhvilluar miqësore tjetër me ndonjë përfaqësuese të klasit botëror.
─ Në shtatë ndeshje sa i ka zhvilluar Shqipëria gjatë këtij viti, ka shënuar gjithsej shtatë gola, ku që të gjitha golat janë shënuar nga futbollistë të ndryshëm (Basha, Meha, Mavraj, Vajushi, Vila, Balaj, Lenjani).
─ Franca ka pësuar vetëm dy herë në 20 ndeshjet e saj të fundit, derisa ka regjistruar 13 fitore dhe 5 barazime.
─ Në 10 miqësoret e fundit, françezët janë të pamposhtur. ‘Tre kolorët’ humbjen e fundit në miqësore e kanë pësuar më 9 qershor 2013 nga Brazili (0-3) dhe që nga ajo kohë kanë regjistruar 7 fitore dhe 3 barazime.
─ Përfaqësuesja e Francës ka pësuar vetëm 3 humbje në 18 ndeshjet e fundit si vendase, derisa 13 prej tyre kanë përfunduar me fitoren e tyre.
─ Odise Roshi dhe Sabien Lilaj të Shqipërisë, si dhe Mathieu Debuchy i Francës, kanë debutuar për përfaqësueset e tyre në përballjen e fundit të ndërmjet Shqipërisë dhe Francës.
─ Gjashtë futbollistë nga Shqipëria (Lorik Cana, Debatik Curri, Andi Lila, Ervin Bulku, Odise Roshi, Hamdi Salihi) dhe tre futbollistë nga Franca (Hugo Lloris, Yohan Cabaye, Karim Benzema), nga të ftuarit për ndeshjen e radhës, kanë luajtur së paku një herë në përballjet e mëparshme Shqipëri - Francë.
─ Përzgjedhësi aktual i Francës, Didier Deschamps, ka luajtur për Francën në të dyja ndeshjet kundër Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për EURO 1992.
─ Për Lorik Canën kjo do të jetë një ndeshje e veçantë, pasi që kapiteni kuqezi do ta thyej rekordin e Altin Lalës për t’u bërë futbollisti me më së shumti paraqitje në kombëtaren shqiptare.
─ Tre futbollistë nga Shqipëria (Stivi Frashëri, Arlind Ajeti, Erando Karabeci) do ta kenë rastin e debutimit në ndeshjen ndaj Francës.
─ Përzgjedhësi italian i Shqipërisë, Gianni De Biasi, do ta ketë provën e 26-të me kuqezinjtë. Ai deri më tani ka regjistruar bilanc pozitiv prej 10 fitoreve, 6 barazimeve dhe 9 humbjeve, kurse homologu i tij françez, Didier Deschamps, deri më tani ka regjistruar 19 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje me përfaqësuesen e Francës.
Shiko listën e të ftuarve të përzgjedhësit Gianni De Biasi.
Shiko listën e të ftuarve të përzgjedhësit Didier Deschamps.
Ndeshjet e mëparshme ndërmjet Shqipërisë dhe Francës
17 nëntor 1990 Tiranë |
Kualifikimet për EURO 1992 |
Shqipëria - Franca 0-1 |
Golashënues: Basile Boli (FRA) |
30 mars 1991 Paris |
Kualifikimet për EURO 1992 |
Franca - Shqipëria 5-0 |
Golashënuesit: Franck Sauzée x2, (FRA) Jean-Pierre Papin x2, (FRA) Artur Lekbello (autogol) (FRA) |
2 shtator 2011 Tiranë |
Kualifikimet për EURO 2012 |
Shqipëria - Franca 1-2 |
Golashënuesit: Erjon Bogdani (SHQ) Karim Benzema, (FRA) Yann M'Vila (FRA) |
7 tetor 2011 Saint - Denis |
Kualifikimet për EURO 2012 |
Franca - Shqipëria 3-0 |
Golashënuesit: Florent Malouda, (FRA) Loïc Rémy, (FRA) Anthony Réveillère (FRA) |