SHTESË NË MESFUSHË
Ferizaji përforcon mesfushën
4 January, 2024 @15:37
Ferizaji pas përforcimeve të bëra në fazën e sulmit, tashmë ka nisur të mendojë për repartet tjera, ndërsa sot ka bërë të ditur se ka angazhuar në ekip mesfushorin defanziv nga Maqedonia e Veriut, Riste Temelkov.
Nën drejtimin e Arsim Abazit, Ferizaji po tenton të sigurojë Superligën në mënyrë direkte nga Liga e Parë - Grupi B, ndërsa Temelkov është thënë që do t’i kontribuojë mjaft ekipit.
“Mesfushori i transferuar, Temelkov së fundmi ishte pjesë e skuadrës nga Maqedonia e Veriut, Gjorce Petrov. Ai është pjesë e futbollit aktiv dhe profesionist që prej vitit 2013, duke luajtur në skuadrat si: KF Tivkes, Brera Strumica, Bregalnica Stip dhe FK Horizont Turnovo.
Temelkov njihet për fizikusin dhe qëndrueshmërinë në këmbët e tij. Ai po ashtu ka vizion të qartë për të lidhur mbrojtjen me sulmin. Njëra ndër karakteristikat më të rëndësishmë të tij është saktësia në topat e gjatë, konkretisht pasimet diagonale.” - ka shkruar njoftimi i FC Ferizajit.
Temelkov 26 vjeçar në raste nevoje mund të luajë edhe si qendërmbrojtës, ndërsa është i gjatë 186 centimetra. Ai së fundi ka qenë pjesë e Makedonija GP, ndërsa vlera e tij në Transfermarkt llogaritet të jetë rreth 100 mijë euro.