BARAZH: FERIZAJI-VLLAZNIA
Vllaznia shkruan historinë, arrin Superligën
3 June, 2017 @18:35
Vllaznia e Pozharanit është anëtare e re e Superligës së Kosovës në futboll, pasi që eliminoi Ferizajin sot në ndeshjen e barazhit pas penalltive, 3-2. Hero i Vllaznisë u bë portieri Jasir Bajrami, që ka mbrojtur dy penalltitë e lojtarëve të Ferizajit në seritë e fundit të goditjeve.
Kjo është hera e parë që Vllaznia e arrin Superligën, ndërsa festa nisi menjëherë në Riza Lushta të Mitrovicës, me të përfunduar ndeshja.
Në anën tjetër të fushës, lojtarët e Ferizajit që dështuan të shënojnë penalltinë, plasën në lot, duke e bërë kështu një anë të stadiumit në pamje të dhimbshme, e te tjetra festë.
PJESA E RREGULLT
90 minutat e para të ndeshjes nuk sollën gol në duelin vendimtar për një vend në Superligë sot. Shiko 11-shet startuese.
U shpërndanë mbi 5 kartona të verdhë, ndërsa pak para fundit të kohës së rregullt, Ferizaji mbeti me 10 lojtarë në fushë, kur Florent Papuqi morri karton të kuq.
Ferizaji kishte rastet e veta, njejtë sikurse edhe Vllaznia në pjesë të parë, ndërsa bardhekaltërit dominuan në pjesë të dytë, por goli nuk erdhi assesi, përkundër rasteve të Maliq Belulit, Shkëmbim Salihut e Burim Shabanit.
VAZHDIMET
Një gabim i Behar Bardhit në mes të fushës, u shfrytëzua nga Ejup Bruti, që morri topin shpejt në krah të djathtë dhe në vrap e sipër gjeti sulmuesin kryesor të Vllaznisë, Lirian Feratin (11 gola në Ligë të Parë këtë stinor) që dribloi mbrojtësin e Ferizajit dhe shënoi për avantazh, derisa çoi në delirium bashkëlojtarët, stafin dhe publikun.
Në 15 minutëshin e dytë të vazhdimeve, Ferizaji u mobilizua tërësisht. La hapërisa edhe më shumë në mbrojtje, derisa u vërsul drejt portës së pozharanasve.
Kjo rezultoi me gol. Pas një krosimi të Murat Adilit, u devijua topi nga mbrojtësi i Vllaznisë që shtyu portierin e tyre të dëbojë topin. E topi i dëbuar shkoi te këmbët e Enis Kukës që me të majtën qëlloi portën nga këndi i vështirë për barazim 1-1. Shiko golin.
Ferizaji vazhdoi dominimin me posedim dhe raste deri në fund të ndeshjes, ndërsa Vllaznia e drejtuar nga Sallah Sherifi u koncentrua për të çuar ndeshjen në penallti. Golat në minutat e mbetura nuk erdhën dhe gjithçka u vendos pas penalltive.
Ferizaji me këtë humbje të sotme, pas një stinori të kaluar në Superligë, i rikthehet Ligës së Parë të Kosovës.