FERONIKELI - HAJVALIA

Foto: KF Feronikeli
Feronikeli deklason Hajvalinë, i afrohet liderit
21 April, 2017 @16:46
Në takimin hapës të xhiros së XXVII në Superligë, Feronikeli ka shënuar fitore të lehtë ndaj Hajvalisë, skuadër kjo që pothuajse e ka vulosur rënien nga elita e futbollit kosovar.
Takimi kaloi me dominimin e plotë të vendasve, ndërsa goli i epërsisë erdhi në minutën e 10’. Ishte Bujar Shabani ai që e zhbllokoi takimin pas krosimit të Mentor Zhdrellës nga goditja e këndit.
I njëjti lojtar shënoi edhe 2 herë të tjera deri në fund të takimit. Fillimisht ai shënoi për 2-0 në minutën e 30’ pas një gabimi të mbrojtjes mysafire, e më pas hat-trickun e kompletoi në minutën e 76’ të takimit.
Tre golat e tjerë u shënuan nga Labinot Osmani, që shënoi një supergol nga distanca në minutën e 35’ të takimit, Mentor Zhdrella në minutën e 79’ dhe Yll Hoxha në fund të ndeshjes.
Në anën tjetër, te Hajvalia për t’u përmendur ëhtë vetëm një rast i Çlirim Ramadanit në fillim të takimit.
Kjo fitore e afron Feronikelin me Trepçën ‘89 në klasifikim, ndërsa Hajvalia vazhdon fundosjen.