PAS SHORTIT

Duelet e afërta në kilometra
PREVIEW pas shortit nga Borozani.com
21 April, 2017 @13:09
Pas tërheqjes së shortit për gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ka ngjarë që të takohen ekipet më të afërta mes veti, sa i përket kilometrave!
Derisa Real Madrid e Atletico Madrid dihen që janë të kryeqytetit spanjoll, në anën tjetër, edhe Monacon me Juventusin e ndajnë pak orë prej njëra-tjetrës.
MONACO - JUVENTUS
Torino është rreth 3 orë larg Monacos (me kerr) në largësi prej 210-260 kilometrash (varësisht prej rrugës së zgjedhur), ndërsa ekipet kanë pasur histori interesante mes vete, përfshi këtu edhe transferet si Thierry Henry (që doli i dështuar te Juventus) dhe David Trezeguet (që u bë legjendë te Juventus).
Taze, dueli i fundit mes ekipeve ‘fqinje’ të shteteve fqinje është luajtur në prill të vitit 2015.
Në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Juventus kishte eliminuar Monacon me rezultat nga dy ndeshjet, 1-0 dhe atë me golin e vetëm të shënuar nga Arturo Vidal prej penalltisë.
Kësaj radhe, për dallim nga e kaluara, Monaco luan ndeshjen e parë si vendas, ndërsa të dytën si mysafir.
REAL MADRID - ATLETICO MADRID
Në anën tjetër dueli i dyshes kryesore madrilene Real dhe Atletico mban mendjet e freskëta nga dy finalet e fundit. Të dyja i fitoi Real Madridi (2014 dhe 2016) dhe Atletico pos revanshit në këtë duel, nuk ka çka të kërkojë.
Misioni i Realit dihet, arritja e të pa-arritshmes deri tash, mbrojtja e trofeut të Ligës së Kampionëve (pas ri-emërtimit nga Kupa e Kampionëve).