+3 PIKË PËR "NIKLIN"
Feronikeli’74 përsëri mposht Lirinë
27 November, 2023 @16:07
Feronikeli’74 i drejtuar nga Xhengis Rexhepi ka shënuar edhe një fitore ndaj Lirisë këtë stinor në Superligë. Dy ekipet që në stinorin e kaluar siguruan Superligën dhe tash po luftojnë për mbijetesë në elitë, në dy duelet e para të tyre, Xhengis Rexhepi trajner ka treguar forcën ndaj ish-ekipit të tij, duke arritur dy fitore, nga 15 pikë sa i ka në total.
Pjesa e parë kaloi pa gola në Gjilan, ku u zhvillua ndeshja pasi që “Rexhep Rexhepi” nuk u pastrua nga bora qe dy ditë. E në pjesë të dytë, me të nisur ajo nga një faul, krosimin e konvertoi në gol Alban Shillova (48’).
Liria iu kundërpërgjigj thuajse në të njëjtën mënyrë, krosimin nga e majta - thellë në zonë u gjend kapiteni Ardit Topalaj që barazoi (62’). Mirëpo, zëvendësimet e Feronikelit’74 dolën të qëlluara.
Ka qenë pikërisht i futuri në lojë Fiton Hajdari që përfitoi nga një krosim prej të djathës, derisa mbrojtja i la hapësirë për të kërcyer dhe për të shënuar me kokë për fitore (86’).
Fitorja, Feronikeli’74 - Liria 2-1 [Alban Shillova 48’, Fiton Hajdari 86’ - Ardit Topalaj 62’] çon ekipin nga Drenasi në 15 pikë nga 15 ndeshje dhe aktualisht është i shtati në renditje, ndërsa Liria regjistron humbjen e tetë dhe nga 15 ndeshje ka vetëm 9 pikë duke u gjendur në pozitën e fundit të renditjes tabelare. Në xhiron që vjen, Liria pret Gjilanin ndërsa Feronikeli’74 i shkon Dritës.