SKENDERAJ

Ferronikeli rikthehet, Haziri hat-trick
23 March, 2014 @16:10
Ferronikeli i ka dhënë një kundërpërgjigje të hatashme Besës së Pejës sot në Skenderaj. Pejanët dolën heret në epërsi, por ekipi i Ramiz Krasniqit është këndellur në pjesë të dytë për të fituar trepikëshin në ndeshje.
Ferronikeli ka vazhduar me seri të fitoreve, pasi që djelmoshat e Ramiz Krasniqit, në saje të Emin Hazirit, që shënoi hat-trick kanë mposhtur Besën 3-1.
Besa ishte në avantazh me anë të golit të Egzon Gashit të shënuar në fillim të takimit, por në pjesën e dytë ekipi i Ramiz Krasniqit ka bërë gjithçka që të fitojë ndeshjen.
Në fund, sulmuesi veteran Haxhi Zeka nuk arriti të shënojë nga penalltia për Besën, për të zbutur epërsinë e Ferronikelit dhe rezultati mbeti 3-1.
Besa fundin e ndeshjes e ka pritur me 10 lojtarë në fushë pas përjashtimit të Diar Miftarit me karton të kuq.
Ferronikeli vazhdon të mbetet i parafundit në tabelë të klasifikimit, por po jep shenja të mira këndelljeje dhe mund të mbijetojë nëse vazhdon me këtë formë.
Rezultatet dhe tabela aktuale.