NJOFTIMI

FFK: Bileta nuk ka në shitje
8 September, 2021 @15:58
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) sikurse para ndeshjes ndaj Greqisë, njëjtë edhe ndaj Spanjës ka bërë sqarimin në faqen zyrtare që adhuruesit ta dinë se nuk ka bileta në shitje për ndeshjen Kosova-Spanja.
Mirëpo, në rrjetet sociale dhe portalet e shitblerjes, janë parë bileta të dedikuara për institucionet që janë vënë në shitje.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
Federata gjithashtu ka bërë të ditur se nëse dikush ka njohur për keqpërdorim të biletave nga persona të caktuar, t’i denoncojë ata në Policinë e Kosovës.
Mëposhtë, njoftimi i plotë i FFK-së:
“Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se edhe në ndeshjen Kosovë – Spanjë, në bazë të masave të Qeverisë kundër COVID-19, do të shfrytëzohet vetëm 10 % e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” dhe të gjitha biletat jepen falas. Në këtë përqindje përfshihen: stafi organizativ, tifozeria “Dardanët”, ekipet e të dyja kombëtareve dhe zyrtarët.
Të gjithë ata të cilët janë pajisur me bileta kërkojmë që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos i keqpërdorin ato. Po ashtu, ftojmë opinionin që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtruesve, të cilët mund të vendosin bileta false në treg, pasi të gjithë biletat janë falas dhe e kanë kodin e sigurisë, pa të cilin hyrja në stadium është e pamundur.
Në rast se keni njohuri për keqpërdorim të biletave nga persona të caktuar, ju lusim që ato raste t’i denonconi në policinë e Kosovës.
Sipas rregullave të fundit të qeverisë për mbrojtje nga COVID-19, pjesëmarrësit për të hyrë në stadium duhet që bashkë me biletën të paraqesin edhe njërën prej këtyre dokumenteve:
– Certifikatën e vaksinimit për vaksinën e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.
– Testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë.
– Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik-igG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve.
– Testin e shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë.” — ka shkruar FFK-ja në njoftim.
Në stadiumin Fadil Vokrri sonte pritet të jenë rreth 1 mijë spektatorë, ndërsa FFK ka shpërndarë të gjitha biletat falas për Dardanët, zyrtarët dhe stafet e kombëtareve.