PARA DISA ORËVE
FFK festoi pranimin
6 May, 2016 @0:04
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur sot koktejin festiv me rastin e pranimit në UEFA me të drejta të plota.
Në mesin e mysafirëve të shumtë kanë qenë edhe Rainer Milkoreit, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB) si dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), Armando Duka.
Ndërsa kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, i ka përshëndetur të pranishmit përmes këtij fjalimi:
“Pas gjithë kësaj që ndodhi, emocionet dhe drithërimat nuk pushojnë, përkundrazi ato vijnë e shtohen, sikurse shtohen e rriten obligimet dhe detyrimet tona. Por, më lejoni që në këtë çast solemn, në këtë takim që shënon epokën e historisë sonë më të re, të falënderoj në radhë të parë bashkëshorten time, Editën, fëmijët Gramosin, Albanen dhe Albertin, të cilët për një kohë sikur e humbën dashurinë dhe përkushtimin e prindit. Por rikthehem me premtimin e mbajtur që na bënë të jemi krenar! E vlerësoj shumë sakrificën tuaj, sepse më mbështetët aq fuqishëm në realizimin e këtij misioni, që për disa skeptik dukej i pamundshëm! Ky mision kërkoi ekip dhe sakrifica edhe jashtë familjes sime. Mbështetje të parezervë kisha edhe nga Komiteti Ekzekutiv, i cili në asnjë çast nuk më la vetëm dhe nuk dyshoi asnjëherë se nuk do të mund të mbërrijmë në betejën finale! Ne, e vazhduam ëndrrën e pararëndësve, të cilët me guxim e kurajë i kishin nisur hapat e parë! Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që punuan, përkrahën dhe e mbajtën të pafikur fenerin e lirisë! Kreut të Federatës së parë, të asaj vijuese, të sotmes, administratës, zyrtarëve, drejtuesve të klubeve, lojtarëve, gjyqtarëve, donatorëve, bamirësve, gazetarëve, publikut, por edhe atij më të voglit, që të paktën thurri ëndrrën e vet, nga ky vend solemn ju them: Ju lumtë! Faleminderit dhe e gëzofshi pranimin në UEFA. Faleminderit UEFA! FIFA, ne po vijmë!”