E FUNDIT
FFK mbulon shpenzimet e referëve për Ligën e Dytë dhe të Tretë
12 August, 2021 @11:51
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një njoftimi të lëshuar sot ka bërë të ditur se do t’i ndihmojë të gjitha skuadrat e Ligës së Dytë të Kosovës dhe të Ligave të treta, duke ua hequr shpenzimet e referëve të ndeshjes.
Kjo, pasi që FFK pas kontratave të nënshkruara me transmetuesit dhe me sponsorin e Superligës, me mjetet e premtuara ka bërë një fond të veçantë ku do t’ua lehtësojë sadopak shpenzimet e skuadrave të kategorive të ulta të futbollit të Kosovës.
“Pas arritjes së marrëveshjes për të drejtat televizive për Superligë dhe Ligën e Parë si dhe finalizimin e marrëveshjes së sponzorizimit të Ligës së Parë, nga të hyrat e të cilave përfitojnë klubet e këtyre ligave, tani FFK do t’iu dalë në ndihmë edhe ekipeve në ligat tjera. Këtë vit FFK do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjeve, duke i liruar nga pagesa të gjitha klubet e Ligës së dytë dhe të tretë, duke krijuar një fond të veçantë. Ju kujtojmë se në Ligën e dytë janë 16 klube, derisa në të tretën mbi 30 sosh,” ka shkruar ndër të tjera FFK-ja në njoftimin e lëshuar.