KOSOVA
FFK: Nuk ka bileta në shitje
Teksti: FFK
4 September, 2021 @12:44
Federata e Futbollit e Kosovës edhe një herë sqaron opinionin se vetëm 10 % e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” është e lejuar për pjesëmarrës nga autoritetet e shtetit në ndeshjen Kosovë – Greqi. Në këtë 10% hyjnë: stafi organizativ, tifozeria “Dardanët”, ekipet e të dyja kombëtareve dhe protokolli i shtetit.
Po ashtu e ritheksojmë se nuk ka bileta në shitje, ato të cilat do të shfrytëzohen për të lartpërmendurit do të jepen falas.
Të gjithë ata të cilët pajisen me bileta falas kërkojmë të jenë të përgjegjshëm dhe të mos i keqpërdorin ato.
Po ashtu, ju ftojmë të gjithëve që të kini kujdes dhe të mos bini pre e mashtrimeve, pasi nuk ka bileta në shitje.
Në rast se keni njohuri për keqpërdorim të biletave nga persona të caktuar, ju lusim që t’i denonconi në policinë e Kosovës.
Sipas rregullave të fundit të qeverisë për mbrojtje nga COVID-19, pjesëmarrësit për të hyrë në stadium duhet që bashkë me biletën të paraqesin edhe njërën prej këtyre dokumenteve:
– Certifikatën e vaksinimit për vaksinën e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.
– Testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë.
– Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik-igG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve.
– Testin e shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë.
Kërkojmë nga pjesëmarrësit në stadium që të respektojnë masat antiCovid duke mbajtur maskat, duke ruajtur distancën me rregulla të UEFA-së dy karrige të lira në mes.
Thyerja e rregullave antiCovid, çon në dënim të FFK-së nga UEFA dhe personat të cilët identifikohen për shkeljen e këtyre rregullave do të penalizohen me largim nga stadiumi.
Pjesëmarrësve në stadium iu kërkojmë që t’i ruajnë biletat e ndeshjes pasi ato do të jenë të vlefshme për lëvizje të lirë pas ndeshjes gjatë orës policore.