MILOT RASHICA
Të shfrytëzojmë momentin, luajmë për fitore
3 September, 2021 @23:40
Futbollisti i vetëm i kombëtares së Kosovës që luan në Premier Ligë të Anglisë, Milot Rashica, ka dhënë një deklaratë për faqen zyrtare të Federatës sot, pas stërvitjes së skuadrës.
Kosova ka arritur të shënojë fitoren e parë në kualifikime për Botëror ndonjëherë, duke e mposhtur mbrëmë Gjeorgjinë si mysafire 0-1 në Batumi.
Ndërsa Milot Rashica nuk ka mundur t’i ndihmojë shokëve të skuadrës, për shkak të rregullave të vendosur nga Britania e Madhe për shtetet e rrezikuara më se shumti nga varianti delta i koronavirusit.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT AKTUALE
“Lojtarët kanë bërë shumë punë të mirë. Tash shpresojmë që kjo fitore të na motivojë për ndeshjen tjetër,” ka thënë fillimisht krahu i djathtë i Norwich Cityt.
“Momenti më i mirë i ndeshjes ka qenë goli natyrisht se ai e bëri dallimin, por edhe lojtarët kanë luftuar për njëri-tjetrin deri në fund të duelit dhe nuk janë dorëzuar deri në fund,” ka shtuar Rashica.
Ndërsa, sa i përket ndeshjeve të radhës, ku Kosova pret Greqinë më 5 shtator dhe Spanjën më 8 shtator në Prishtinë, vushtrriasi është shprehur që ekipi duhet të shfrytëzojë motivimin e fituar nga ndeshja e kaluar.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT AKTUALE
“Fitorja ka ardhur në moment të duhur dhe këtë duhet ta përdorim si motivim për dy ndeshjet e radhës. Në të dyja ndeshjet po hymë për të fituar,” ka shtuar ndër të tjera ai.
Rashica pritet të nis nga fillimi ndeshjen e radhës të Kosovës, që luhet të dielën në Fadil Vokrri ndaj Greqisë.
Kujtojmë, Kosova me Greqinë është takuar dy herë në histori të saj dhe atë vjet në kuadër të Ligës C të Kombeve. Kosova nuk e ka fituar asnjërën ndeshje, derisa ka humbur në Prishtinë 1-2 ndërsa ka barazuar në Athinë, 0-0.