POLONIA - SHQIPËRIA
Humbje në Varshavë, Shqipëria e pafuqishme ndaj Polonisë
2 September, 2021 @22:40
Me rezultat 4-1 në të mirë të Polonisë është mbyllur ndeshja e luajtur sonte në Varshavë mes Polonisë vendase dhe Shqipërisë mysafire, rezultat i cili e bën humbjen e Shqipërisë të duket më e rëndë se që në të vërtetë ishte bazuar në paraqitjet e të dyja skuadrave.
Ndeshja ishte e vlefshme për Grupin I kualifikues drejt Botërorit të Katarit, që do të mbahet mes datave 21 nëntor dhe 18 dhjetor të vitit të ardhshëm.
Të parët që shënuan në takimin e sontëm ishin polakët, që golin e gjetin përmes Robert Lewandowskit në minutën e 12’.
Më pas, ishte Shqipëria ajo që e gjeti barazimin. Pas një pasimi mjaft të mirë të Gjasulës, Sokol Cikalleshi shënoi mjaft bukur me të majtën, për t’i barazuar shifrat.
Që nga shënimi i golit e deri në fundin e pjesës së parë, paraqitja e Shqipërisë ishte mjaft e mirë, mirëpo në momentin më të keq të mundshëm, në fundin e pjesës së parë, mbrojtja shqiptare u dorëzua dhe pranoi gol. Ishte polaku Buksa ai që në minutën e 44’ shënoi me kokë për 2-1, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
E në pjesën e dytë, shpresën shqiptare për t’u larguar me pikë nga Varshava e shoi goli i Krychowiak. Pas një depërtimi fantastik të Lewandowskit nga krahu i djathtë, Krychowiak shënoi me portën e zbrazur (54’), për ta çuar epërsinë polake në dy gola dhe pothuajse për ta mbyllur ndeshjen.
Krejt në fund, Polonia e gjeti edhe një gol. Zëvendësuesi Linetty shënoi në minutën e 89’ për vendasit dhe kështu ndeshja u mbyll me rezultatin final 4-1.
Për shkak të kartonëve të verdhë që i morën sonte, Hysaj, Bare dhe Manaj do të mungojnë në ndeshjen e ardhshme të Shqipërisë, e cila luhet ndaj Hungarisë më 5 shtator në Shqipëri.
Sa i përket gjendjes në grup, momentalisht grupit të Shqipërisë i prin Anglia me 12 pikë, kurse Shqipëria momentalisht ndodhet e katërta pas Polonisë e Hungarisë.