FIBA EUROPE CUP

Foto: fiba.com/fibaeuropecup
Finalistët e FIBA Europe Cup, nuk gjejnë fituesin
19 April, 2017 @14:07
Dueli i parë final i FIBA Europe Cup, ndërmjet ekipeve franceze, Elan Chalon dhe Nanterre, ka përfunduar baraz. Një rezultat jo i shpeshtë në basketboll, por finalja tregoi se ekipet me meritë kanë ardhur aty dhe vetëm niansat i bëjnë të dallohen mes veti.
Pas çerekut të parë plotësisht të barabartë, 15-15, Nanterre dominoi në të dytin për ta fituar 13-26 dhe për të shkuar në pushim me 13 pikë epërsi nga totali i pjesës së parë, 28-41.
Por, Elan Chalon i drejtuar nga Jean-Denys Choulet, ka arritur të rikthehet në lojë shpejt dhe me një mbrojtje të fuqishme ka përfunduar çerekun e tretë 14-9, ndërsa atë të fundit 16-8 për përfundimtaren 58-58.
Më efikasi te vendasit e Chalonit kanë qenë Cameron Clark me 16 pikë e 3 kërcime, pastaj Moustapha Fall me 11 pikë e 11 kërcime dhe John Roberson me 10 pikë e 8 asistime.
Në anën tjetër, te ekipi i drejtuar nga Pascal Donadieu, Nanterre 92, dyshja që ka shënuar pikë dyshifrore ka qenë Spencer Butterfield, me 15 pikë të shënuara (3/4 për tre pikë) dhe Hugo Invernizzi me 12 pikë (4/5 për tre pikë).
Ndeshja e kthimit tash zhvillohet në Nanterre, ku me fillim në ora 20e30 më 25 prill pritet të përcaktohet fituesi i ri i FIBA Europe Cup, garës ku këtë stinor morrën pjesë edhe ekipet kosovare si Sigal Prishtina e Peja, por u eliminuan që në fazën e parë grupore të saj.