KUJTIME
Finalja e Kupës 2010: Vëllaznimi 1-2 Liria
3 April, 2016 @12:02
Një lexues i ynë që nuk deshi t’i publikohej emri ka dërguar materialin e gazetës “Topi” të vitit 2010 në e-mail adresën e Borozani.com për të kujtuar ndeshjen finale të Kupës së Kosovës në vitin 2010, ku Liria kishte mposhtur Vëllaznimin pas vazhdimeve 2-1.
Në këtë finale, Vëllaznimi kishte kaluar në epërsi përmes golit të Ertan Hasanit, ndërsa Liria kishte barazuar me golin e Alsid Tafilit për të çuar ndeshjen në vazhdime.
Më pas, Tafili kishte shënuar edhe një gol në vazhdime për ta sjellë Kupën e Kosovës në Prizren.
Trajneri i atëhershëm i Vëllaznimit ka qenë Ajet Shosholli, ndërsa i Lirisë Behajdin Gjinali.
“E kemi merituar këtë trofe pasi kemi eliminuar kundërshtarë të fortë rrugës për finale si Hysin, Prishtinën e Besën,” kishte thënë Fitim Krusha, kapiten i ekipit të Lirisë.
Ndërsa Labinot Efendija i Vëllaznimit i kishte uruar trofeun Lirisë.
“Ka qenë ngarkesë për ne kjo ndeshje pasi që kemi pasur takim të rëndësishëm ndaj Besianës në mesjavë. Kemi treguar lojë të mirë, por nuk ia arritëm të mbanim ritmin deri në fund. I uroj Kupën Lirisë,” kishte thënë Efendija për këtë gazetë.
Ndërsa titulli “...zhgënjyese” në gazetë ka qenë për shkak të organizimit të dobët, pasi që nuk ka pasur rend në ndarjen e vendeve për tifozët, me ç‘rast para dhe pas ndeshjes ka pasur parregullësi në tribuna të stadiumit të kryeqytetit.
INFO:
Nëse keni artikuj të gazetave të ndryshme të viteve të shkuara, lirisht na dërgoni si fotografi në adresën [email protected] |
FORMACIONET E FINALES 2010:
1 | VËLLAZNIMI: | Mushica, Dylazeka (Juniku), Efendija, Hashani, Kasapi, Gashi, Sermaxhaj, Prekopuca, Gjeraj, Milicaj dhe Hasan. | ||
2 | LIRIA: | Memaj, Çarkaxhija, Buqaj, Qakalli, Xhananoviç, Sulollari, Krusha, Mullallari (Zylfallari), Tafili, Karahoda dhe Emra (Guci). |