MESFUSHORI PRIZRENAS
Fitim Susuri zyrtarizohet te FC Suhareka
12 July, 2023 @14:04
Ish-mesfushori i Lirisë së Prizrenit, që gjatë stinorit të kaluar u bë pjesë e Feronikelit’74 për pak kohë, për të kaluar te Prishtina më vonë, është zyrtarizuar sot si lojtar i ri i FC Suharekës.
Mesfushori ofanziv, Susuri, është huazuar për një sezon prej Prishtinës te Suhareka, ka bërë të ditur klubi që ndërroi emrin së fundi.
“Ju njoftojmë që pas bashkëpunimit me skuadrën e FC Prishtina kemi arritur dakordin për huazimin për 1 vit të futbollistit FITIM SUSURI.” — ka shkruar njoftimi i FC Suhareka sot.
Për më tepër, ekipi ka komentuar atë si një ndër lojtarët më inteligjent.
“Susuri një mesfushorë shumë cilësor bashkohet me grupin tonë për të synuar objektivat tona , një futbollist nga Prizreni i cili karrierën e filloi te KF Liria duke vazhduar ktu për edicione të tjera me paraqitje fenomale , gjithashtu edhe tek skuadra e kryeqytetit tregoi lojëra të bukura me shumë inteligjencë.” — ka vazhduar më tej njoftimi.
Kujtojmë, ekipi që deri në stinorin e kaluar garoi si A&N në Ligë të Parë, në një mbledhje ndërroi emrin e skuadrës, duke u shndërruar në FC Suhareka. Me ndërrimin e emrit dhe ndërrimit të kryetarit ekipi emëroi trajner Granit Begollin, ndërsa më pas erdhën edhe shumë përforcime që mund të cilësohen të rëndësishme për Ligë të Parë, për të synuar rangimin sa më të lartë në Ligë të Parë — Grupi A.◼️