BAJRAM ALIU - SKENDERAJ
Fitore e madhe e Drenicës
26 September, 2015 @17:01
Drenica ka arritur të regjistrojë trepikëshin e dytë të stinorit me fitore ndaj Besës sot në Bajram Aliu të Skenderajt, duke i mposhtur mysafirët me rezultat 3-1.
Ekipi kuqezi ka nisur mirë takimin kur nën organizim të Taulant Dajakut shënon Endrit Maloku për t’i dhënë epërsinë fillestare ekipit drenicak.
Sidoqoftë, një depërtim i shpejtë i Florent Qorrajt të Besës ka bërë që Shkëlzen Lushtaku të shkaktojë penallti duke e ndalur atë dhe sulmuesi Kastriot Rexha u tregua i saktë para portës së Drenicës, kur realizoi nga penalltia për 1-1.
Më pas, edhe pse Besa nisi më mirë dhe kishte më shumë raste, goli nuk erdhi pas tentimeve të Fatih Karahodës kryesisht. E këtë e dënuan drenicakët kur pas një krosimi të Hysen Tahirit, Kreshnik Uka shënon për avancim të ekipit të Fadil Ramës.
Krejt në fund, kur pejanët e drejtuar nga Arbnor Morina kërkonin barazimin së paku, Kastriot Mehmeti i Drenicës zë në gjumë mbrojtjen e Besës për të shënuar për siguri dhe për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes, 3-1.
Humbja e ka lënë Besën një hap prapa kundërshtarëve kryesues, pasi që regjistruar disfatën e tretë të stinorit, ndërsa Drenica ka arritur sot mesin e tabelës me fitore.