Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

REAL MADRID - LIVERPOOL

Fitore madrilene, drejt Anglisë me epërsi!

Fitore madrilene, drejt Anglisë me epërsi!


6 April, 2021 @22:54

Me rezultat 3-1 është mbyllur dueli i zhvilluar sonte mes Real Madridit dhe Liverpoolit në Spanjë, rezultat që e afron Realin më tepër me gjysmëfinalen, mirëpo duhet pritur edhe ndeshjen kthyese në Anfield pas 8 ditëve.

Pjesa e parë i takoi plotësisht Real Madridit, me Liverpoolin që nuk e rrezikoi as edhe një herë portën vendase, 0 goditje në portë për 45 minuta lojë.

E dominimin Reali e kurorëzoi me dy gola të shënuara. Si shumëherë këtë sezon në Premier League, Liverpooli të dyja golat i pranoi nga topat e ardhur në lartësi nga një distancë e madhe.

Dy topa të gjatë mbi mbrojten angleze nga Toni Kroos, u shndërruan në gola nga Vinicius Jr. e Asensio në minutat 27’ e 36’, dhe kështu Reali shkoi me epërsi 2-0 në pushim. Për korrektësi: goli i shënuar nga Asensio u ndihmua edhe nga një largim katastrofal i topit nga Alexander-Arnold, mbrojtësi i djathtë i Liverpoolit.

REAL MADRID - LIVERPOO, PËRBALLJET MES TYRE NDËR VITE

Në pjesën e dytë, Liverpooli e rihapi ndeshjen duke shënuar përmes egjiptianit Mo Salah (51’), por mesfusha madrilene, e përbërë nga lojtarë të një kalibri të lartë, nuk lejoi që skuadra të bie në presion pas golit të pranuar dhe arriti që dalëngadalë ta rikthejë skuadrën në lojë. Rreth 14 minuta pas golit të pësuar, Reali shënoi edhe një herë përmes anësorit Vinicius Junior (65’), gol që doli të ishte i fundit i ndeshjes, 3-1 pas 90 minutave.

Kështu, Reali në Angli niset me epërsi të konsiderueshme, mirëpo padyshim që gjithçka mbetet e hapur.

Ndeshja kthyese mes këtyre skuadrave luhet të mërkurën e ardhshme (14 prill), ndërkohë që para saj, Reali e luan në La Liga derbin ndaj Barcelonës.


 
Të gjitha lajmet nga Champions League