OPINION
Flakja e De Biazit nga Shqipëria
Shkruan: PETRIT OSMANI
15 June, 2017 @15:30
U fol e u përfol shumë, u kritikua me e pa të drejtë, u lavdërua me eufori e pa të, në fund ai u tërhoq, por mirënjohja nga institucioni që e punësoi mungoi.
Ky ishte trajneri italo-shqiptar (që prej dy vitesh me shtetësi shqiptare), Gianni De Biasi, i cili paraditën e së martës doli në një konferencë shtypi me anë të të cilës akuzoi indirekt Federatën Shqiptare të Futbollit për mos interesimin për të vazhduar aventurën e tij me Shqipërinë.
“Mendoj se nëse Federata dëshironte Xhani De Biazin, do ta bënte më parë, jo sot, se tani është vonë. Por unë prisja diçka ndryshe, nuk funksionon kështu,” u shpreh De Biazi në konferencën e shtypit. Kjo deklaratë e nëpunësit matanë brigjeve të Adriatikut, e “zgjoi” nga gjumi presidentin e Federatës, Armand Duka që 24 orë më vonë të thërrasë një tjetër konferencë shtypi.
Mes keqardhjes së stisur dhe një telefoni që nuk i pushonte, Duka u shfajësua para opinionit se “ai e donte, porse trajneri kishte këmbëngulur se donte ta mbyllte tani”. Kjo shfaqje e Dukës, ishte si një déjà vu për sportdashësit shqiptarë, të cilët janë mësuar me presidentin ”e përjetshëm” të FSHF-së, i cili me të njëjtën monedhë kishte vepruar me pothuajse secilin trajner të emëruar prej tij.
Ekipi kombëtar nuk duhet të jetë përjetëisht i lidhur me emrin e një drejtuesi federate e as edhe i një trajneri, qoftë ai De Biazi apo pasardhës i tij që mund të na çoj edhe më lartë.
Mënyra se si filloi çarja e këtyre raporteve ta shpifte. Menjëherë pas kualifikimit historik në kampionatin europian, drejtues të federatës dhe eksponentë të tyre, në media në rolin e “super-specialistit” të futbollit. Ish futbollistë, njerëz që nuk kishin korrur asnjë sukses në jetën e tyre, madje edhe persona nga fusha të tjera si drejtësia, ekonomia, muzika apo edhe antropologjia dhanë me kompetencë të plotë analizat taktiko-teknike të trajnerit De Biazi dhe ndihmësit të tij Paolo Tramexani për kualifikimin.
Drejtuesit e FSHF-së, filluan të bënin gropën për trajnerin De Biazi dhe ndihmësin e tij. Përveç mosmirënjohjes dhe jo-sinqeritetit për meritat që kishin nëpunësit e tyre, ata çdo ditë e më tepër tentonin të kthenin tifozat kundrejt tyre, gjë që nuk ja arritën. Kjo pasi, i pari që iku qe ndihmësi i De Biazit, Paolo Tramexani e pak muaj më vonë edhe vet strategu De Biazi.
Mjafton të shohësh komentet e largimit të të dyve veç e veç ose bashkë, sa mirënjohje e falenderim nga të gjithë tifozët dhe masa e gjerë, për punën e madhe në krye të Kombëtares. Tifozët edhe populli e dinë që kreu i Federatës ka një jetë që është në krye të këtij institucioni, por që kualifikimin e siguroi vetëm tani, pikërisht për këtë meritat më të mëdha nuk mund t’i atribuohen atij.
Pra, terreni u përgatit që prej kohësh, por italiani as nuk e mendonte dorëheqjen deri në momentin që ashtu sikur ndodhë në jetë, çdo fillim e ka një fund, edhe De Biazi duhej ta mbyllte, por mbyllja mes intrigash nga institucioni punëdhënës i tij ishte për keqardhje. Ai u largua kokëulur nga Shqipëria, të cilën e futi në hartën futbollistike të Europës.
Ai u largua nga Shqipëria i përulur sepse na bëri ta prekim një ëndërr të bukur që e kishim pare dikur.
Ai u largua pasi, na mësoi që të mos hynim si inferior në asnjë përballje ndaj çfarëdo kundërshtari.
Ai u largua pasi ishte i pakompromis me të padisiplinuarit dhe të pakënaqurit, pavarësisht që loja luhet me 11 lojtarë.
Përfundimisht, ai u largua pasi na bëri të besojmë aq shumë sa dorëheqjen ja kërkuam edhe pas humbjeve me Spanjën e Italinë.
Ai u largua pasditën e së mërkurës nga Rinasi për në Itali, nën heshtjen dhe ndjesinë e fajit, pa u përshëndetur as nga ata që i organizonin defilim me autobus pas europianit për interesat e tyre politike.
i:
Opinionet nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë. Opinionet dërgohen në [email protected]. |