KUQEZI NË BEOGRAD
FSHF kërkon bileta nga Serbia
1 October, 2014 @16:12
Sot në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, është marrë vendim që të insistohet që në ndeshjen Serbi - Shqipëri të jenë të pranishëm edhe tifozët shqiptarë.
“KE ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Serbisë, për një marrëveshje bilaterale, sipas të cilës, ndeshjet Serbi – Shqipëri në Beograd dhe Shqipëri-Serbi në Elbasan të zhvillohen pa praninë e tifozëve miq. Ajo kërkon nga pala serbe, që FSHF, të pajiset me sasinë e biletave që i takojnë, konform rregullave të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, në mënyrë që ato t’ja shpërndajë tifozëve dhe grupimeve shqiptare, të interesuara për të ndjekur ndeshjen në Beograd. Gjithashtu ajo kërkon marrjen e masave për sigurinë e tyre në stadium dhe jashtë tij,” thuhet në njoftimin e lëshuar në faqen zyrtare të FSHF-së.
Ndeshja Serbi - Shqipëri do të luhet më 14 tetor, përkatësisht vetëm tre ditë pas ndeshjes Shqipëri - Danimarkë.