KOMISARI FLET
Trepça e Prishtina në Disciplinore
1 October, 2014 @8:47
Derbi i vjetër që u ndërpre në fundjavë për shkak të tollovisë së krijuar nga tifozët, ka bërë që Komisari i Garave të Superligës, Ismet Ahmeti, të hap Procedurë Disciplinore ndaj ekipeve: Trepça dhe Prishtina.
“1. Sjellje vullgare e tifozëve të KF Trepça, hyrja në terren, me ç‘rast ndërprehet ndeshja dhe sulmi ndaj tifozëve mysafirë (gjuajtja me gjësende të forta, të rrezikshme, koktej mollotovi, etj.).
2. Sjellje e tifozërisë së KF Prishtina në ndeshjen e Xhiros VII, ku pas sulmit ndaj tyre, kanë filluar demolimin e ulëseve të stadiumit dhe hedhjen e tyre.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, të botuar mbrëmë.
Palët në fjalë kanë të drejtë ankese brenda tre ditëve, derisa FFK-ja ende nuk ka vendosur se si të regjistrojë ndeshjen në fjalë apo edhe ndoshta ta shtyejë atë.
Ndërsa në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të kryesuar nga kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, shtëpia e futbollit të Kosovës ka nxjerrë këtë deklaratë:
“KE i FFK-së analizojë rrjedhën e deritashme të garave dhe konstatoi se garat kanë pasur një rrjedhë të mirë dhe me tendencë të rritjes së shikueshmërisë hiç incidentin në ndeshjen Trepça-Prishtina dhe Prishtina-Vëllaznimi. KE me kujdes ka debatuar për këto ndeshje duke dënuar ashpër incidentet dhe shkaktarët e tyre, sepse si të tilla dëmtojnë imazhin e futbollit të Kosovës dhe rrugën drejt ndërkombëtarizimit. Në këtë drejtim KE ka kërkuar nga të gjitha organet dhe komisionet relevante të FFK-së që me përpikëri të zbatohen të gjitha aktet normative të FFK-së. Po ashtu KE u bënë thirrje klubeve që të shtojnë nivelin e organizimit si dhe të bashkëbisedojnë me grupet e tyre të tifozëve, në mënyrë që të mënjanohen dukuritë dhe incidentet e tilla të cilat e dëmtojnë klubin dhe interesat e tyre. KE thërret grupet e tifozëve që të jenë në funksion të misionit të tyre duke bërë tifo për skuadrat e tyre duke respektuar kodin e mirësjelljes në frymë sportive e fair-playt për të mirën e interesit të klubeve dhe të futbollit në përgjithësi.”